Prokuroria: Po hetohet shkaku i vdekjes së një burri në ujërat e Lumit të Zi
Po hetohet shkaku i vdekjes së një burri në ujërat e Lumit të Zi, informoi sot Prokuroria Publike. Sipas tyre, Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka ndërmarrë disa veprime për të hetuar shkaqet e vdekjes së një 64-vjeçari nga Shkupi, i cili më 16 dhjetor u gjet i vdekur në makinën e tij në ujërat e Lumit të Zi, në territorin e Komunës Rosoman.
“Menjëherë pas ngjarjes, është kryer inspektimi në vendngjarje, dhe gjatë ekzaminimit fillestar të trupit nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune. Është dhënë urdhër për autopsi, por raporti i autopsisë është ende në përpunim dhe nuk është dorëzuar në Prokurori. Përveç kësaj, janë urdhëruar analiza të tjera laboratorike”, informuan nga Prokuroria.
Për të hetuar rastin, prokurori publik përgjegjës ka lëshuar kërkesa për operatorët celularë për të kontrolluar listat dhe të dhënat nga stacionet bazë për ndonjë komunikim të mundshëm telefonik.
“Gjithashtu, nga SHA ESM – Njësia HEC Tikvesh janë kërkuar informacione nëse gjatë periudhës kohore të ngjarjes është bërë lëshimi i ujit nga diga e hidrocentralit dhe nëse një lëshim i tillë ka rritur ndjeshëm nivelin e ujit në lumin e Zi në vendin kritik. Bazuar në të gjitha këto gjetje dhe informacione, Prokuroria Themelore Publike në Kavadar do të hetojë plotësisht rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.