Prishtinë, qytetarët protestojnë nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”

Qytetarë nga rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë protestuar të mërkurën në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie institucionale për rastin e saj, si dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, raporton Anadolu.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, u mbajt me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ndërsa protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Qeverisë.

Protestuesit kërkuan nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për të garantuar mbrojtjen e grave dhe për të parandaluar rastet e dhunës, duke theksuar nevojën për përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për viktimat.

Gjatë protestës, organizatorët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës se si institucionet trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave, duke kërkuar hetim të përgjegjësive dhe masa ndaj zyrtarëve që mund të kenë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.

– Rasti i Arldina Zekajt tronditi opinionin publik në Kosovë
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, disa orë pasi kishte raportuar tek aturoitetet përkatëse dhunë në familje. Ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa ajo ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët, duke refuzuar strehimin në ndonjë vend tjetër.

I dyshuari për vrasjen me inicialet A.S., i cili njëherësh është kunati i viktimës, u arrestua të mërkurën në mbrëmje.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për të hetuar nëse ka pasur lëshime apo përgjegjësi institucionale në trajtimin e rastit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe” dhe një gjë e tillë “e bën edhe më të pafalshme situatën”.

Udhëheqës të institucioneve, deputetë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut reaguan për këtë rast duke kërkuar llogari nga institucionet përgjegjëse.

Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që vritet gjatë vitit 2026 në Kosovë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button