Piloti i “Air Canada”-s, akuzohet për pilotimin e 900 fluturimeve pa licencë për 17 vite

Një kapiten i “Air Canada”-s është akuzuar për mashtrim pasi dyshohet se ka kryer qindra fluturime për gati 17 vjet pa licencën e kërkuar, thanë të martën autoritetet lokale, transmeton Anadolu.
Geoffrey Wall, 59-vjeç, u arrestua më 1 qershor pas një hetimi mashtrimi të njohur si “Project Icarus”, tha zëvendës shefi Nick Milinovich në një konferencë për mediat, sipas CBC News me bazë në Otava. Policia tha se Wall filloi karrierën e tij në vitin 1998 ndërsa u bë kapiten në vitin 2009, një rol që kërkonte licencë piloti transporti ajror, të cilën ai dyshohet se nuk e mori kurrë.
Hetuesit pretendojnë se ai përdori licenca mashtruese të pilotit për të mashtruar kompanitë “Air Canada” dhe “Transport Canada”, dhe më vonë u përpoq të fshihte mashtrimin përmes një raporti të rremë të policisë. Ai përballet me akuza, përfshirë mashtrimin prej mbi 5.000 dollarësh, keqbërje publike, dy akuza për nxjerrje të dokumenteve të falsifikuara dhe tre akuza për posedim të markave të falsifikuara.
Policia nisi hetimin në janar pasi u gjetën parregullsi në dokumentet që Wall ofroi gjatë një vlerësimi rutinë në aeroportin “Pearson”. Në periudhën 2009-2025, ai supozohet se ka drejtuar më shumë se 900 fluturime në aeroplanët Boeing 767, 777 dhe 787, duke transportuar dhjetëra mijëra pasagjerë dhe duke fituar afro 3 milionë dollarë.
Wall gjithashtu mbajti role drejtuese brenda Shoqatës së Pilotëve të “Air Canada”-s. Kryetari i Bordit të Shërbimeve të Policisë “Peel”, Nando Iannicca tha se akuzat janë shqetësuese sepse sugjerojnë “një përpjekje të qëllimshme për të anashkaluar sistemet e krijuara për të mbrojtur publikun”.
“Air Canada” tha se po e trajton çështjen seriozisht, por pohon se siguria nuk u rrezikua, duke vënë në dukje se pilotët i nënshtrohen testeve të kompetencës çdo gjashtë muaj dhe kontrolleve vjetore të fluturimit nga ekzaminuesit e certifikuar të “Transport Canada”-s.



