Izraeli lëshon urdhra të reja evakuimi për banorët e tre qyteteve në jug të Libanit

Ushtria izraelite lëshoi sot alarme evakuimi për banorët e qyteteve libaneze pavarësisht armëpushimit në vazhdim, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee lëshoi paralajmërim për banorët e Ghassaniyeh dhe Houmine al-Faouqa të Libanit që të evakuojnë menjëherë shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen të paktën 1.000 metra larg fshatrave dhe qyteteve në zona të hapura.
Disa minuta më vonë, ushtria izraelite lëshoi paralajmërim tjetër duke u bërë thirrje banorëve të fshatit Ansariyeh që të evakuojnë menjëherë shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri të lumit Zahrani.
Të hënën, Irani njoftoi fundin e sulmeve të tij ndaj Izraelit, por paralajmëroi përgjigje “shkatërruese” nëse sulmet izraelite në Liban vazhdojnë.
Tensionet rajonale u rritën të dielën kur Izraeli bombardoi kryeqytetin libanez Bejrut, pavarësisht armëpushimi në vazhdim. Ky veprim e shtyu Iranin të lëshonte raketa hakmarrëse në Izraelin verior, gjë që nga ana tjetër shkaktoi valë sulmesh ajrore izraelite kundër objektivave iraniane.
Sulmet izraelite kanë vazhduar pavarësisht armëpushimit të brishtë që hyri në fuqi më 17 prill dhe u zgjat më vonë deri në fillim të korrikut.
Më shumë se 3.660 persona janë vrarë dhe mbi 11.300 të tjerë janë plagosur që kur Izraeli zgjeroi fushatën e tij ushtarake në Liban më 2 mars ndërsa më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze.



