OKB-ja kërkon lejimin e makinerive të rënda pasi shembja e një ndërtese në Gaza lë deri në 100 persona nën rrënoja

Një zyrtar i lartë i OKB-së ka bërë thirrje për “miratime urgjente për hyrjen e makinerive të rënda”, pasi në perëndim të Qytetit Gaza u shemb një ndërtesë banimi që strehonte persona të zhvendosur dhe që ishte dëmtuar gjatë luftës gjenocidale të Izraelit, transmeton Anadolu.

Enklava palestineze ka gjithashtu nevojë për “pajisje të specializuara, vaj motori dhe karburant të nevojshëm për operacionet e kërkim-shpëtimit”, tha Ramiz Alakbarov, koordinator humanitar i OKB-së për Territorin e Pushtuar Palestinez.

“Vlerësohet se 100 persona, përfshirë 50 fëmijë, jetonin në ndërtesë kur ajo u shemb”, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se ishte i “tronditur nga raportimet për njerëz të bllokuar nën rrënoja”, ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit të udhëhequra nga Mbrojtja Civile.

Ai tha se tendat, mushamatë dhe artikujt e tjerë joushqimorë “duhet gjithashtu të arrijnë te komunitetet më të cenueshme gjatë katër javëve të ardhshme”, duke theksuar se “çdo minutë ka rëndësi”.

“Jetë njerëzish mund të shpëtohen ende dhe duhet bërë çdo përpjekje për të arritur te ata që janë bllokuar nën rrënoja”, tha ai.

Derisa Alakbarov nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë Izraelin në deklaratën e tij, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, dje kritikoi Izraelin për mungesën e respektit ndaj të vdekurve nën rrënoja.

“Pjesa më e madhe e Gazës është rrafshuar nga bombardimet izraelite ose nga shembjet dhe pastrimi me makineri të rënda dhe eksplozivë. Sot, shumë zona në Gaza ku është dislokuar ushtria izraelite vazhdojnë të rrafshohen me buldozerë, pa respekt për të vdekurit nën rrënoja”, tha Turk.

Alakbarov vlerësoi komunitetin humanitar, i cili “është mobilizuar me shpejtësi për të mbështetur reagimin emergjent”, duke theksuar se Egjipti ka siguruar makineri të rënda, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari “pritet të dërgojnë ndihma”.

Ai theksoi se njerëzit në Gaza “po jetojnë në qindra struktura të dëmtuara, të vlerësuara si të pasigurta, për shkak të mungesës së alternativave më të mira”, duke paralajmëruar se tragjedia “nxjerr në pah rreziqet e mëdha me të cilat përballen familjet që jetojnë në këto struktura dhe nevojën urgjente për alternativa më të sigurta”.

“Askush nuk duhet të rrezikojë jetën vetëm për të gjetur një vend të sigurt për t’u strehuar”, tha ai.

Të gjitha ngarkesat që hyjnë në Gaza u nënshtrohen miratimeve të rrepta izraelite, përfshirë artikujt esencial, si dhe makineritë e rënda dhe artikuj të tjerë që Tel Avivi i klasifikon si me “përdorim të dyfishtë”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button