Numri i rasteve me simptoma të temperaturës së lartë, diarresë dhe të vjellave në Gostivar vazhdon të rritet

Vazhdon hetimi i policisë dhe prokurorisë për helmimin masiv në Gostivar. Mbi 1.200 persona gjatë ditëve të fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Gostivarit.

Nga spitali bëjnë të ditur se shumica e pacientëve kanë simptoma të njëjta: të vjella, diarre, dhimbje stomaku dhe temperaturë të lartë. Rreth 260 persona, prej të cilëve rreth 100 fëmijë, mbrëmë janë paraqitur në repartin e infektologjisë dhe pediatrisë. Tre fëmijë janë mbajtur për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka ndaluar përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është seriozisht i ndotur dhe i pasigurt për shëndetin e qytetarëve.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftuan se ekzistojnë dyshime se aktivitetet e ndërmarrjes publike “Komunalec” dhe Komunës së Gostivarit kanë çuar në rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.

Nuk do të shpallet epidemi në Gostivar derisa të përcaktohet shkaku i numrit të madh të të sëmurëve. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, tha se nevojiten më shumë anketa epidemiologjike për të identifikuar shkaktarin.

“Nevojiten më shumë anketa epidemiologjike që të gjejmë se cili është shkaktari”, tha Klekovski. Ai shtoi se analiza mikrobiologjike do të përfundojë nesër dhe u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë përdorimit të ujit dhe ushqimit, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta.

Nga Spitali i Gostivarit thonë se për momentin kriza po menaxhohet, ndërsa nga Qendra për Shëndet Publik u bëjnë thirrje qytetarëve që të plotësojnë anketat epidemiologjike.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, deklaroi se aktualisht nuk ekziston asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që problemet me stomakun e raportuara nga qytetarët janë shkaktuar nga uji i rrjetit të qytetit.

Në një publikim në Facebook, Limani tha se shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave relevante.

Valbon Limani – kryetar i Komunës së Gostivarit:

“Sa i përket pretendimeve se ka pasur përzierje të ujit të kanalizimit me ujin e ujësjellësit, informacionet nga NP ‘Komunalec’ tregojnë se në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet kanalizimi”.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe se për rastin do të ketë përgjegjësi. Ai theksoi se për të është tronditëse sjellja e papërgjegjshme e disa personave.

Për rastin po zhvillohet hetim nën koordinimin e një prokurori publik nga Gostivari. Në hetim janë përfshirë policia, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, si dhe Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button