Kryeparlamentari Gashi në hapjen e ekspozitës së Engin Uzunit: Fotografia nuk regjistron vetëm çaste, por emocione dhe histori

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “DËSHMO – 30 vite udhëtim në fotografi” të mjeshtrit të fotografisë Engin Uzun.
Gashi vlerësoi se ekspozita paraqet një udhëtim artistik përmes fotografive që rrëfejnë njerëz, vende dhe momente të shndërruara në kujtesë.
“Ka fotografi që i sheh, ndërsa ka edhe fotografi që të zgjojnë kureshtjen, të ftojnë ta përjetosh dhe të bëhesh dëshmitar i një universi në vete”, u shpreh Gashi.
Sipas kryeparlamentarit, në një kohë kur imazhet shfaqen me shpejtësi të madhe përpara syve tanë, kjo ekspozitë rikthen rëndësinë e artit fotografik si mënyrë për të ruajtur emocionet dhe historitë njerëzore.
“Në një kohë kur imazhet kalojnë para syve tanë me shpejtësi, kjo ekspozitë na rikujton se arti i vërtetë nuk regjistron vetëm çaste, por emocione, dashuri, histori dhe dëshmi që mbeten”, deklaroi Gashi.
Ai gjithashtu përgëzoi fotografin Engin Uzun për veprat e prezantuara dhe për kontributin e tij në pasurimin e skenës artistike.
“Përgëzime mjeshtrit Engin Uzun për veprat e jashtëzakonshme dhe për frymëzimin që vazhdon ta ndajë me publikun”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Ekspozita “DËSHMO – 30 vite udhëtim në fotografi” sjell për publikun një përmbledhje të punës shumëvjeçare të Engin Uzunit, duke pasqyruar përmes objektivit të tij histori, kultura dhe momente të veçanta njerëzore.



