Imerlije Saliu për situatën në Gostivar: Qytetarët kanë nevojë për transparencë, jo për deklarata kontradiktore

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar për situatën alarmante me numrin e lartë të qytetarëve të prekur nga simptomat e helmimit në Gostivar, duke kërkuar transparencë të plotë nga institucionet dhe masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Saliu tha se këtë herë nuk dëshiron të flasë në cilësinë e politikanes, por si qytetare e Gostivarit, e shqetësuar për gjendjen me të cilën po përballen mijëra banorë.
“Kësaj radhe nuk dua të flas në cilësinë e politikanes, dua të flas si një qytetare e thjeshtë e Gostivarit, si një banore që, njësoj si mijëra bashkëqytetarë të mi, është jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën alarmante që po përjetojmë”, deklaroi Saliu.
Ajo theksoi se fakti që mbi një mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa institucionet kanë ndaluar përdorimin e ujit të çezmës për pije, paraqet një alarm serioz për shëndetin publik.
“Në situata të tilla, qytetarët nuk kanë nevojë për deklarata kontradiktore apo heshtje, por për informacion të saktë, transparencë dhe veprime të menjëhershme”, tha deputetja e VLEN-it.
Saliu kërkoi publikimin pa vonesë të rezultateve të analizave të Institutit të Shëndetit Publik, në mënyrë që qytetarët të informohen mbi bazën e fakteve dhe jo të spekulimeve.
Ajo kërkoi gjithashtu sigurimin urgjent të ujit të pijshëm për çdo familje, përmes pikave të shpërndarjes apo formave të tjera të organizuara, deri në normalizimin e situatës.
“Duhet të vendoset në funksion një linjë telefonike emergjente nga Komuna e Gostivarit, ku qytetarët të mund të marrin informacione dhe të kërkojnë ndihmë”, u shpreh Saliu, duke theksuar nevojën për kujdes të veçantë ndaj të moshuarve, personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që nuk mund të furnizohen vetë me ujë.
Deputetja u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente dhe të mos përdorin ujin e çezmës për pije deri në një njoftim zyrtar se ai është i sigurt për konsum.
Në fund, Saliu kërkoi përgjegjësi institucionale pas përfundimit të hetimeve dhe analizave.
“Pres përgjegjësi të plotë institucionale. Pres që Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike Komunale të komunikojnë me transparencë të plotë dhe që, pas përfundimit të hetimeve dhe analizave, të përcaktohet përgjegjësia për çdo lëshim ose gabim”, përfundoi deputetja e VLEN-it.



