Një grua e devotshme bektashie në komunizëm: në kujtim të gjyshes sime
Si fëmijë, pak javë të eksperiencës sime në kopsht kishin qenë të mbushura me sëmundje. Nanbaba kishte ardhur në Tiranë për vizitë dhe më gjen të sëmurë e vendos të më marrë me vete për të kaluar dimrin me të. Bëmë së bashku udhëtimin e gjatë në autobusët e Dibrës, ku do të shihja për herë të parë i trazuar ngjyrën jeshile të liqeneve të Ulzës. Ai dimër ishte edhe prezantimi im me dijen e përtejme. I rritur në Shqipërinë totalitare, Nanbaba do më mësonte që gjumi paraprihet me fjalën bismilah – në Emër të Zotit.
Besnik SINANI, Tiranë
Pak më shumë se një vit më parë ndërroi jetë gjyshja ime ose nanbaba, siç e kisha thërritur qysh në fëmijëri. Kish kaluar më shumë se një shekull jetë në këtë botë, gjer vonë e kthjellët dhe, siç i pëlqente të thoshte, me “këmbë e me dorë”. Por, në muajt e fundit, ku prezenca e saj mbahej mes nesh vetëm nga insistimi dhe përkushtimi i hallës sime, Nanbaba gjithnjë e më pak komunikonte me njerëzit dhe ambientin përreth, ndërsa gjithnjë e më shumë fliste me të dashurit që na kishin lënë. Prezenca e saj në ato muaj ndahej në të dy rrafshet, këtu dhe atje, ndërsa për të kufiri ishte bërë gjithnjë e më poroz. Lëkura e saj kishte një bardhësi prej alabastre dhe, në mënyrë të habitshme, edhe në atë moshë rrallë mund të gjurmoje ndonjë rrudhë, por që të bënte ta përftoje humbjen e saj të ngadaltë teksa dukej se bëhej gjithnjë e më e padukshme, më transparente. Në herët e fundit që e kisha parë, gjithnjë e më të pakur, gjithnjë e më fjalëpak, të paktën me ne të kësaj ane, më nxiti të mendoj se ky kish qenë roli i saj në jetën time qysh kur e kujtoj, larg në vite, në fëmijëri: të më tregonte diçka për rrafshin e përtejmë.
Si fëmijë, pak javë të eksperiencës time në kopsht kishin qenë të mbushura me sëmundje. Nanbaba kishte ardhur në Tiranë për vizitë dhe më gjen të sëmurë e vendos të më marrë me vete për të kaluar dimrin me të. Bëmë së bashku udhëtimin e gjatë në autobusët e Dibrës, ku do të shihja për herë të parë i trazuar ngjyrën jeshile të liqeneve të Ulzës. Ai dimër ishte edhe prezantimi im me dijen e përtejme. I rritur në Shqipërinë totalitare, Nanbaba do më mësonte që gjumi paraprihet me fjalën bismilah – në Emër të Zotit. Fillimisht nuk e kuptoja arsyen e vizitës në një majë kodre në fshatin Zerqan, tek një grumbull gurësh. Por, tek ato rrënoja të një teqeje bektashiane të shkatërruar nga regjimi, Nanbaba më mësoi për prezencën e së shenjtës. Bota ime prej fëmije filloi të popullohej me shenjtorë e dede, me heroizmin e Imam Husejnit, me gjeografi sakrale që rrudhnin hartën nga Meka në Qerbela e Sari Salltëk. Përmendja e Fatimesë, vajzës së Pejgamberit Muhamed, sillte në mos lot, së paku një tundje koke që do të mësoja se nënkuptonte dhimbje për të cilën nuk flitej dot. Afërmendsh, dhimbja sakrale ndodh përherë në të tashmen, e cila është edhe e vetmja kohë që ekziston për fëmijët. Nanbaba po më prezantonte edhe një fjalor të ri, fjalë që vetëm ajo i përmendte rreth meje: tobe, istigfar, Allah… Në Shqipërinë e ateizmit që pasoi viti 1967, Nanbaba mbarte me vete – ishte ajo vetë, një faltore.
Fetë monoteiste kanë një shqetësim themeltar teologjik me shpëtimin në botën tjetër. Tregohet në një thënie të Profetit Muhamed – paqja qoftë mbi të, se në kohët apokaliptike, pranë fundit final të botës, do ketë njerëz që do u ofrohet shpëtim vetëm sepse diku e dikur kanë dëgjuar të përmendet Emri i Zotit – Allah. Fundi i njerëzimit shpjegohet në literaturën islame shpesh në lidhje me humbjen e vetëdijes për Zotin, për të shenjtën, për jetën e përtejme. Shqipëria komuniste, edhe pse jo në kuptimin kronologjik, ishte teologjikisht një realitet apokaliptik dhe Nanbaba më kishte dhënë torbën bazike teologjike për të merituar në udhëtimin tim në këtë botë shpëtimin në kushtet e komunizmit.
Në librin e mirënjohur në lëmin e sociologjisë së religjionit të titulluar “Feja si një zinxhir kujtese”, sociologia franceze Daniele Hervieu – Leger, përdor konceptin e kujtesës për të vënë në dukje se si feja sot i jep formë një tradite të përbashkët të cilën individë vazhdojnë ta ndërtojnë në bazë të përpjekjes së tyre për të kuptuar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Për mjaft dekada në shekullin e 20-të, shumë sociologë ishin të bindur për zhdukjen progresive të fesë si pasojë e forcave të modernitetit. Hervieu – Leger nuk na tregon vetëm se pse kjo nuk ka ndodhur, por ajo përpiqet më tej të ofrojë një përkufizim – edhe pse të mangët – të funksionit sociologjik të fesë, si mbartës të një sistemi idesh, praktikash dhe simbolesh, sipas të cilave ndërtohet, mirëmbahet e zhvillohet ndërgjegjja individuale ose kolektive e përkatësisë në një zinxhir kujtese. Me fjalë të tjera, teksa fëmija ka vetëm të tashme, bashkësitë njerëzore kanë nevojë për një kujtese ontologjike, për një lloj kujtese që na dëshmon vetë natyrën esenciale të qenies tonë, atë që Islami e quan fitrah ose esenca jonë primordiale.
Por, përherë sipas Hervieu – Leger, nëse moderniteti nuk ka mundur të zhduke fenë, ai e ka transformuar atë. Ndoshta i vetmi pretendim bindës i Kryeministrit Rama pas deklarimit të krijimit të një shteti bektashi është se bektashizmi është i rrezikuar. Sigurisht kjo nuk i jep atij të drejtë që të ndërhyjë “për ta shpëtuar”, se një ndërhyrje e tillë do ishte tërësisht në kundërshti të thelbit të sekularizmit të shtetit. Por, bektashizmi në kushtet moderne është i rrezikuar. Përkundër insistimit folklorik që gjendet rëndom në ligjërimin publik shqiptar, se bektashizmi është një lloj unik, Islam i zbehur, që u përshtatet shqiptarëve, bektashizmi vjen në histori natyrshëm dhe lulëzon në kushtet e pluralizmit fetar të Perandorisë Osmane. Pavarësisht shumë nocioneve të qarta orientaliste, John Kingsley Birge, në librin e tij The Bektashi Order of Dervishes, ka të drejtë kur thotë në lidhje me doktrinën e bektashizmit se çdo përpjekje për të dhënë një tabllo të plotë dhe të saktë do përballet me vështirësinë për t’i ngjeshur format e larmishme të ideve që lidhen me bektashizmin në një paraqitje sistematike. Kjo vjen nga fakti se nuk ka pasur asnjëherë një artikulim të sistematizuar të kredos së bektashinjve. Edhe përpjekja e Naim Frashërit për të sjellë formulime të kredos në Fletoren Bektashiane janë kaq të ngarkuara me dogmatizmin e iluminizmit, saqë nuk mbetet në të asnjë dogmë e mirëfilltë fetare.
Moderniteti, siç na kujton Ernest Renan, favorizon tradita fetare tekstuale. Bektashizmi nuk e ngriti një të tillë. Kjo nuk mbarte asnjëlloj problemi në kushtet e jetës fetare paramoderne osmane, por vështirë të jetë e tillë në kushtet aktuale. Duket nganjëherë sikur Baba Mondi kërkon ta bëjë diçka të tillë sot, duke përftuar identitet sektar e duke u deklaruar – fjala vjen – shia, si pasues i medhhebit xhaferi. Në majin e kaluar ia përmenda shiizmin e pretenduar studiuesit Italian Gianfranco Bria, kur u takuam në Palermo, në konferencën vjetore të Akademisë Evropiane të Religjionit. Siç Bria me të drejtë vuri në dukje, Baba Mondi në raste të tjera është identifikuar edhe si suni. Teksa shumë trende fetare në të kaluarën kanë pësuar transformime dhe i kanë veshur ato me narrativa të favorshme, është e vështirë të bëhet kjo sot, in real time.
Bektashizmi ka pasur në kohë të ndryshme një identitet fluid midis sunizmit dhe shiizmit, por ky identitet ka qenë edhe shpeshherë i keqkuptuar. Për shembull, John Kingsley Birge ofron si provë të shiizmit të bektashinjve rolin madhor që luan Familja Profetike dhe sidomos Aliu në jetën devocionale të bektashinjve. Por, kjo është e vërtetë për të gjitha tarikatet mistike me kredenciale të padiskutueshme sunite në hapësirën osmane, jo vetëm për bektashinjtë. Nëse lexojmë një libër si Misticizma Islame dhe Bektashizma, i të ndjerit Baba Rexhepit, që hapi teqenë bektashiane në Michigan, dhe mund të pretendohet se shërben si tregues i ideve të bektashinjve shqiptarë përpara komunizmit, të gjitha referencat dhe tekstet janë brenda aureolës së mistikës së sunizmit. Për më tepër, Baba Mondi nuk ka treguar të ketë formim elementar teologjik, përtej disa klisheve të ricikluara në media. Rreziku, pra, që i kanoset bektashizmit nuk është, siç thotë kryeministri Rama në mënyrë primare, nga fakti se bektashizmi nuk ka lidhje me komunitete jashtë, ku në fakt bektashinjtë në Turqi, Egjipt, Irak etj. nuk e njohin selinë e Tiranës si “qendër botërore”, por nga fakti se bektashizmit i mungojnë elementët për të shërbyer si zinxhir kujtese që të mund të artikulohet në kohën moderne.
Ishte një e premte në korrik, e sa kisha zënë vend në xhami për faljen e xhumasë, kur ndjej drithërimën e telefonit në xhep. E dija pa e parë. Nanbaba ishte larguar. I përshpërita tim biri në krah, të thoshte një lutje për shpirtin e saj. Fola me familjarët për ritet fetare të përcjelljes. Nanbaba kishte lënë si amanet të varrosej me pak dhè nga Qabja e bekuar me shpresën se qoftë ca thërmija nga toka e shenjtë do i gjendeshin në udhëtimin e saj në botën e përtejme. Ndër familjarët e mi, edhe ndër ata që identifikohen si bektashi, ishte vendosur që nuk do të bëheshin shërbimet siç ishin bërë për të gjithë familjarët gjatë kohës së Baba Reshatit në Krygjyshatë. Me miratimin e tyre, kisha hypur në avion që të shkoja t’ia falja vetë xhenazen e t’i uroja Nanbabës dritë e mirësi në udhëtimin e saj. Në aeroportin e Shtutgartit ndodhi një shkelje e sigurisë dhe të gjithë avionëve iu ndalua fluturimi. Në atë pikë ishte e qartë që nuk do e mbërrija dot varrimin. I kërkova imamit të lagjes në telefon të kryente shërbimet, shërbime fetare që kryhen tashmë në një Shqipëri që po përvijëzon nga e para natyrën e kujtesës së vet religjioze.
O lexues, merr mundimin të recitosh “El-Fatiha” për shpirtin e saj!