Mistikë e pop-it, mistake e artit

Personalisht nuk shoh seriale, nuk lexoj bestsellerë, nuk shoh televizion, pos lajmeve, dhe nuk ia këshilloj askujt. Ka filma e letërsi të mirëfilltë boll, që sfidojnë estetikisht publikun, që çlirojnë ndjenja e mendime, e që respektojnë kohën e publikut. S’ia këshilloj kujt serialet dhe librat pop, të cilat janë për trurin e shikuesit të tyre po aq mirëbërëse sa ç´janë qeset e plastikës për oqeanët.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Në një vjeshtë si kjo, një moderator i famshëm shtroi një pyetje për një botues të famshëm që po prezantonte librin madhështor të radhës të një autori të famshëm në një panair famëmadh: “Si është humori i lexuesit?”. Veshi im gaboi pa dashje dhe e keqkuptoi kësisoj pyetjen e dëgjuar përmes një transmetuesi të famshëm televiziv: “Si është tumori i lexuesit?”.

Çdo dy tre vite qarkullon në artikuj mediash e në rrjete sociale një rrëfim për një palë syze që i kishte harruar dikush në një galeri ekspozitash dhe të tjerët që i merrnin syzat për art. Syzet e harruara nuk ishin prodhim i intencës njerëzore, por njëmend ishin rezultat i rastësisë, një lloj inteligjence artificiale kozmike. Megjithatë, për shkak të gjendjes së tyre në vendin prestigjioz, ato u interpretuan nga publiku si akt gjenial i inteligjencës njerëzore. Ky rrëfim ekspozon logjikën servile: sipas saj, arti është diçka e ekspozuar në një vend me status simbolik të lartë (galeri, skenë, panair, media), e që mundësisht ruhet nga policë e truproja, vizitohet e fotografohet nga snobë e influencerë dhe blihet nga pasanikë. Atje ku është paraja, prozhektorët e famës dhe interesi i pushtetit, atje, sipas servilit, duhet të jetë edhe e bukura. Lexuesit dhe adhuruesit për të tillë art e artistë (pa thelb, por me shans) i japin përgjigje pesimiste pyetjes së keqdëgjuar mbi tumorin e lexuesit. Nuk duket aspak situatë beninje.

Pikërisht në përgjigje ndaj këtij lloji të artit, artistëve servilë dhe altarëve prestigjiozë, dadaisti francez Marcel Duchamp iu përgjigj me atë veprën e tij të famshme e thellësisht ironike të vitit 1917. Ai paraqiti si art një shurrtore, të cilën e emërtoi “fontanë”. Por ironinë e artistit kritika e ngriti në fuqi të dytë. Në vend të indinjatës, i dha atij vlerësim. Ai deshi të kritikonte gjithë aparatin e famës, që pengon dhe vë nën kontroll artin, por aparati i pamëshirshëm e bëri edhe atë të famshëm.

Kjo më kujton një ngjarje tash së fundmi, me një mik timin që sapo është bërë drejtor shëndetësor në një qytet të nahijes sonë, Ballkanit Perëndimor. M´u ankua se shumë njerëz po ia rrahin telefonin e ai s´po ka kohë as të marrë frymë, sepse po përpiqet t´i ndihmojë të gjithë, por nuk është e lehtë. Ca për shkak të sistemit që i ka shtrëngimet e veta, ca për shkak të vetë kërkesave të individëve për ndihmë, që jo rrallë janë absurde. “Erdhi njëri” – më tha – “dhe kërkoi ndihmë se kishte dhimbje koke, por nuk kishte as rekomandim nga mjeku familjar, as vizitë paraprake, asgjë, thjesht erdhi në spitalin kryeqytetas dhe kërkoi ndihmë nga unë. Aq i lodhur isha, aq qesharake mu duk kërkesa, sa që e adresova te kardiologu. Por, pas nja një ore, më thirri sërish në telefon. Prita se do më ankohej pse e kisha tallur. Ama jo, më falënderoi një mijë herë”. “Herën tjetër” – i thashë – “po të erdhi prapë me dhimbje koke, dërgoje te urologu.”

Për logjikën servile, vetë të marrit përgjigje nga pushteti është një lloj shërimi. Ndoshta placebo, ama me efekt të fortë. Mirëpo, nëse pushteti surprizon dhe tregon të vërtetën, pra që nuk mund të kthejë përgjigje sepse pyetja është idiote apo kërkesa është e padrejtë, atëherë logjika servile revoltohet. E merr për ofendim.

Metastaza e logjikës servile, kur vjen puna tek publiku i artit e i letërsisë, është pop-kultura. Qoftë në letërsi, muzikë, fotografi, kinema, rrjete sociale, media ose televizion, pop-kultura e shtyn njeriun të jetojë jetë të zbrazur prej lirisë estetike. Pop-kultura nuk është ndonjë shprehje spontane e individit ose e popullit, as ndonjë shpërthim lirie kundër ndrydhjeve, por një industri me synim përfitimin. Ajo shtrembëron, i lakon dhe e i shformon dëshirat e publikut, bash si tumori qelizat e shëndetshme, duke i konformuar me nevojën për përfitim.

Megjithatë ka plot njerëz që e justifikojnë veten, duke thënë se e prodhojnë këtë lloj përmbajtjeje plehërore, meqenëse sipas treguesve sasiorë, sondazheve, lajkave, kopjeve të shitura, matjes së auditorit, klikimeve në youtube etj. – “ashtu e lyp populli”.

Shumë filozofë janë marrë me kritikën e pop-kulturës. Në vitin 1936 Theodor Adorno botoi një ese kritike “Mbi Jazz-in”, ku merrej me atë lloj muzike që ishte shndërruar në fenomenin pop të kohës së tij. Nëse duam ta ndjekim logjikën e Adornos (e cila nuk ishte krejt e pavend), arti pop (i sotëm apo i djeshëm) qëndron përballë artit të mirëfilltë si fast (apo trash) foodi përballë ushqimit të mirëfilltë. Apo si lojërat hipnotizuese vetmitare e përsëritëse në smartfon përballë lojërave kolektive nëpër rrugica, sheshe e ambiente sportive. Nuk mund të mohohet se merret kënaqësi edhe prej një hamburgeri, seriali televiziv, një loje “candy crash”, ndonjë kënge pop, ndonjë libri best seller, apo edhe prej scrollit në rrjete sociale. Por kjo, sipas Adornos, është kënaqësi e fajshme, “Guilty pleasure”. Kënaqësia që merr duke bërë diçka që të lë më të pamençur, më të mpirë, më ligsht sesa po të mos e kishe bërë, është kënaqësi e fajshme.

Arti i mirëfilltë, ashtu si loja e mirëfilltë apo ushqimi i mirëfilltë, është ai që t’i ngacmon e t´i nxit shqisat, trupin, trurin e shpirtin, duke ta rritur mirëqenien (kjo nuk nënkupton se duhet të jetë në vetvete “i lumtur” arti, vepra mund të përcjellë edhe ndjenja të thella trishtimi, hutimi, tronditjeje apo pështirosjeje, mirëpo ta rrit mirëqenien, sepse të pasuron me një të vërtetë estetike që nuk e kishe më parë, pra ta zgjeron horizontin ndjesor e të thellon me bukuri).

Ky dallim nuk është çështje shijesh ose opinionesh. Pavarësisht se secili ka të drejtën të fryhet duke ngrënë burgerë, dihet se cili ushqim e mban mirë njeriun. Pra, të kesh të drejtën, kjo nuk do të thotë se doemos ke të drejtë. Përgjithësisht pop-arti, këngët komerciale, serialet, njësoj si pijet komerciale e fast foodi, apo lojërat online, përpunohen nga teknologët për t’u përshtatur lehtësisht me shijet e shumicës, madje për të krijuar te ta varësi. Kënaqësia e fajshme që merret prej tyre, robëron. Ta vjedh kohën, shëndetin, mendjen. Ndërsa kënaqësia e vërtetë është ajo që çliron, e sigurisht atë nuk mund ta mbërrish thjesht si spektator pasiv, aq më pak si njeri i gatshëm për të “shijuar gjithçka”.

Liria e vërtetë është kur i thua jo shumëçkaje, për të shijuar aktivisht pak gjërat që të japin një jetë të mirë, më të vërtetë.

Prandaj personalisht nuk shoh seriale, nuk lexoj bestsellerë, nuk shoh televizion, pos lajmeve, dhe nuk ia këshilloj askujt. Ka filma e letërsi të mirëfilltë boll, që sfidojnë estetikisht publikun, që çlirojnë ndjenja e mendime, e që respektojnë kohën e publikut. S’ia këshilloj kujt serialet dhe librat pop, të cilat janë për trurin e shikuesit të tyre po aq mirëbërëse sa ç´janë qeset e plastikës për oqeanët. Kjo nuk ka të bëjë me moralizimin, pra përcaktimin e së bukurës nga ndonjë autoritet jashtë vetë njeriut, e as me snobizmin, ngritjen e të kotës në piedestal. Përkundrazi, secili vetë është në gjendje, e ka aftësinë të kuptojë vetë (mbase paraprakisht duke lexuar, hulumtuar e eksperimentuar), të zgjedhë t’i largohet produktit të përgatitur për t’ia robëruar mendjen e shijen ose të zgjedhë t’i afrohet veprës që e grish drejt lirisë.

E ka pasë shkruar diku një filozof tjetër gjerman, Vitgenshtajni, që me Adornon nuk ndante asgjë tjetër pos epokës, se mistika e botës nuk është se si është, por që është.

Është tërësisht mistike se si Komiteti i Nobelit ia jep çmimin një personi që nuk e njeh lexuesi thashethemexhi shqiptar, i cili vërshon çdo vjeshtë te panairet e librave. Vjeshta sjell panairin e librave me mistikën e vet, pas saj dimri sjell një tjetër mistikë misterioze, atë të festivalit të këngës, ku çdo vit përzgjidhet eksponati i pop-kulturës që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.

Mistika qëndron te fakti se fituesi zgjidhet me vota publike, e menjëherë pas përzgjedhjes, pason revolta popullore kundër rezultatit të votës popullore. Kjo revoltë shpesh më duket se nuk vjen nga shtrimi i pyetjes se si u bë që ta quajmë art atë produkt që kinse s’na përfaqëson, por pikërisht te fakti që na përfaqëson aq besnikërisht.

Kush hap televizorët përnatë, do të dëgjojë ligjërata që shëmtojnë gjuhën, argumente gjytyryme e llafosje të përçudshme shumë më të shëmtuara se Eurovizioni. Shikoni portalet e lexoni opinionet ose vetë të ashtuquajturat lajme, sa rrallë has njeriu në ndonjë tekst që të jetë kujdesur të shmangë shëmtinë. Merrni librat e botuar! Sa rrallë hasni ndonjë përkthim që njeh së paku shqipen, sesa për gjuhën e huaj, autorin apo subjektin e librit të përkthyer, as që lodhet kush të verifikojë se a i njeh përkthyesi, përtej syprinës. E kështu me radhë. Sa të shëmtuara duken doktoraturat e masterimet e brendshme e të jashtme që dekorojnë gjokset e muret e kaq shumë shqiptarëve, kur sheh se kaq pak dije e kaq pak shkencë lëvrohet dhe gjallon mes e rreth nesh? Sa të shëmtuara janë dekoratat për trimërira e heroizma pa marrë pjesë në luftë apo pa fituar ndonjë, apo edhe më keq, duke u angazhuar për dobësimin e kapaciteteve ushtarake të vendit tënd? Sa të shëmtuara janë standardet e shumëfishta me të cilat e trajtojmë njëri-tjetrin? Sa i shëmtuar është poshtërimi e shkatërrimi që i bëhet fshehurazi publikes teksa bëhet shqiponja tatuazh apo me gishta? A e sheh kush me ndofarë shqetësimi se çfarë po reklamohet përreth nesh e si po reklamohet? Sa i shëmtuar është biznesi që i pasuroi miliarderët tanë duke varfëruar punëtorin dhe shoqërinë, teksa do të duhej që ai që fiton më shumë brenda kësaj shoqërie e duke shfrytëzuar gjithë ç’ofron ajo, të mbajë edhe përgjegjësi më të madhe për të? E pështirë! Sa e shëmtuar është pastaj të bësh sikur punon, pa e dashur punën, pa ndjenjë detyre? Sa e shëmtuar është që sa herë ndodh ndonjë barbarizëm brutal, ndonjë makabritet, shfryhet indinjata në rrjete sociale prej po asaj shoqërie që të nesërmen, me indiferentizmin e saj, do të mundësojë përsëritjen e së njëjtës etj. etj. Sa e bukur është të dukesh e vazhdimisht të dukesh, pa u përpjekur kurrë për me qenë? Prandaj po them, e keqja me përfaqësimin tonë në Eurovizion është se është me të vërtetë pasqyrim.Kostumografinë dhe koreografinë e përfaqësuesve tanë në Eurovizion duket si me e pasë bërë autori i planit urbanistik e arkitekturor të qyteteve tona. Kapelet dhe krehjet e flokëve se ç’u përngjajnë ca kullave trashanike, ngjyrat e kostumeve me fasadat e famshme e pa shije, ndërsa shitja e zhveshjes për art tashmë është “zanat” i gjithmbarshëm i marketingut. Estetikë e pështirë kjo e mistika e go-gettersave tanë që prodhojnë dhe menaxhojnë pop-kulturën.

Para pak vitesh një autobus urban përfundoi, s´merret vesh se si, përmbi lumin e vogël që ndan përmes Tiranën, në formë ure. Askush nuk u revoltua. Duke shkërbyer reporterët, shënova disa fjalë për veten time, që ta mbaja mend, se autobusi i linjës “Parajsë – Skëterrë” teksa ndiqte rrugën e tij të zakonshme zbritëse prej qielli, pati një avari dhe ngeci përmbi brigjet e përroit psiqiko-septik të Lanës. Meqenëse avaria ndodhi fare pranë destinacionit në qendër të qytetit, udhëtarët, si engjëj të rënë nga qielli, vazhduan shqerrëzisht më këmbë rrugën drejt ndëshkimit të përditshëm, ndërsa policia po heton shkaqet e incidentit.

Ka pasur banorë të zonës që kanë shtruar kërkesën për ta lënë autobusin aty ku ngeci, sepse në skëterrë çdo ngecje aksidentale e qëllimeve parajsore konsiderohet art. E qëllim parajsor konsiderohet atje, edhe transporti publik që bën autobusi, edhe transporti septik që bën përroi, të cilat transporte për fatin e murrmë të tyre kanë ndërprerë njëra-tjetrën. Edhe pse incidenti ka ndodhur sot, për të mos thënë nesër, ai duhet shpallur monument kulture e të mbrohet nga shteti, si një ndër të rrallat trashëgimi pellazge që shënojnë lashtësinë e paprekur të popullit tonë. Kështu do të duhej të shpreheshin historianët e massmediave, ndërsa ambientalistët e massmediave do të mund të shprehnin shqetësimin që reklama “Go green”, e cila ia zbardhte faqen autobusit tonë, “went brown”.

Ndryshe nga syzet e harruara në ekspozitë, autobusët e aksidentuar që shfaqen jo rrallë ne shoqërinë tonë, nuk janë pasojë veç e rastësisë. Kontribuon aty fort keqqeverisja, licencimi i kompanive të papërgjegjshme, moskontrollimi i kualifikimit të shoferëve, mbingarkimi i tyre me orë të stërgjata pune, përdorimi i autobusëve të vjetruar, mungesa e një vizioni dhe plani për modernizimin e mirëfilltë të transportit publik e kështu me radhë, kështu që ja një ide prej Duchampi për pop-kulturën tonë pushtetplotë: nuk do të qe e paleverdisshme të shiheshin si performanca artistike aksidentet e shpeshta rrugore.

Pra vijmë te një përkufizim që e huazojmë nga filozofi bashkëkohor gjerman Peter Sloterdijku: Cinizmi është vetëdije e ndriçuar por e rrejshme. Është ajo vetëdije e modernizuar dhe e palumtur, tek e cila Përndritja (Iluminizmi) ka punuar njëherazi me sukses, ashtu si edhe më kot. Ajo vetëdije, që i ka mësuar leksionet e iluminizmit, por nuk i ka vënë (e ndoshta nuk ka qenë në gjendje t’i vërë) në jetë ato. E rehatuar, por edhe e mjerë në të njëjtën kohë, kjo vetëdije nuk ndihet më e prekur prej çdo lloj kritike të ideologjisë; rrejshmëria e saj tashmë është e mbështjellë dhe e mbrojtur në mënyrë reflektive.

“Vetëdije e ndriçuar e rrejshme”: Të zgjedhësh një formulim të tillë duket se është t’i japësh një goditje të fortë traditës së iluminizmit. Vetë fraza është cinizëm në gjendje kristaline. Megjithatë kjo frazë pretendon një vlerë objektive. Logjikisht është paradoks, sepse si mundet vetëdija e përndritur të vijojë të jetë e rrejshme? Kjo është bash çështja.

Të veprosh kundër asaj që di mirë është sot situata globale në superstrukturë; e njeh veten dhe je pa iluzione, e megjithatë të merr me vete “fuqia e gjërave”. Pra, ajo çka shihet në logjikë si paradoks dhe në letërsi si shaka, në realitet shfaqet si gjendja aktuale. Kështu lind një sjellje e re e vetëdijes ndaj “objektivitetit”.

Dy shekuj e gjysmë më parë francezi Zhan-Zhak Ruso shkruante tek “Zhylia, ose Eloiza e re”, disi në pajtim me Adornon e mëvonmë, kësisoj: “E dashur mikeshë, a nuk e dinit se virtyti është një gjendje lufte, dhe për ta jetuar, përditë gjendet ndonjë betejë që duhet bërë kundër vetes?”

Në shesh të pazarit, në mejhane, në media e në çdo skenë tjetër prestigjioze, më shumë interes gjithmonë do të ngjallë një idiot që ul pantallonat e defekon verbalisht e fizikisht faqe botës sesa ndonjë i urtë që përpiqet t’i avitet mençurisë a ndonjë artizan i së bukurës.

Megjithatë, idioti i pazarit e i mëhallës ishte i parrezikshëm, sepse vëmendja për të nuk materializohej. Kur ia nisi të materializohet e të marketizohet vëmendja, në formën e gazetave të shitura ose audiencës së matur televizive, e më vonë përmes numërimit të click-ave apo të like-ave, idiotësia me ndihmën e biznesit mediatik dhe teknologjisë së kontrolluar e pushtoi hapësirën publike.Kjo ka qenë edhe trajektorja që ka ndjekur arti mural në Tiranë e, më pas, në shumë qytete tonat, nga pllakatet e realizmit socialist në grafitet e realizmit kapitalist.

Grafitet e mureve të Tiranës janë tre llojesh: ato komerciale, ato shtetërore (të mbështetura nga shteti) dhe ato të bëra pa leje (të paligjshme).

Komercialet ose janë logo me të cilat biznesi synon të tregojë seriozitet, peshë, prezencë, modernizim ose janë të natyrës publicitare me njerëz kryesisht të rinj e gjithnjë të qeshur, hallezgjidhur, gati për të shijuar (konsumuar) jetën. Një art që, si për nga mjetet ashtu edhe për nga synimi, i përngjan propagandës më të dobët të diktaturave totalitare. Le të sjellim një citim nga vepra e rëndësishme e Susan Sontag-ut kushtuar imazheve (1977): “Prodhimi i imazheve furnizon ideologjinë sunduese. Ndryshimi shoqëror zëvendësohet nga ndryshimi i imazheve. Liria për të konsumuar një pluralitet imazhesh e të mirash barazohet me vetë lirinë. Që të tkurret liria politike në liri ekonomike për konsum, ka nevojë për prodhim e konsum të pakufizuar imazhesh.”

Grafitet me leje e suport shtetëror janë po ashtu të dy natyrave: ose janë të natyrës vetëdijësuese, edukuese kundër këtij e atij fenomeni të dëmshëm apo promovuese të ndonjë sjelljeje të dobishme, kryesisht në funksion të ndonjë agjende shtetërore apo OJQ-iste, por që paraqiten sikur janë në funksion të individit (gjë që ky i fundit e dyshon, prandaj as që ua var këtyre grafiteve vetëdijësuese); ose janë të natyrës dekorative “artistike”. Për këto të fundit kontraktohen artistë ndonjëherë edhe të talentuar, por të cilëve u kufizohet veprimtaria. Arti i tyre nuk mund të shfaqë pakënaqësi e të ngjallë emocione negative ndaj politikës, meqë kjo e fundit e paguan. As emocione pozitive nuk mund të shprehë, sepse patetizmi do të shkaktonte revoltë dhe do të rrezikonte vetë reputacionin e artistit dhe të institucioneve që as vetë nuk pretendojnë se “ua kanë zgjidhur hallet njerëzve”, e lëre më të pretendojnë lumturinë e tyre. Si pasojë, arti mural i mbështetur nga shteti është as i lumtur as i palumtur, as i revoltuar as i parevoltuar, gjithnjë e më bizarr e weird. Por, jo surrealist, sepse surrealizmi ishte subversiv, trazues i thellësive, ndërsa këtij arti i ndalohet kuturisja nën sipërfaqe. Unheimlich në tema e forma që paraqet. Kthehemi edhe një herë te Susan Sontag-u: “Nevoja për konfirmim të realitetit e përforcim të përjetimit përmes fotografive është konsumerizëm estetik ndaj të cilit kemi krijuar të gjithë varësi. Shoqëritë industriale i shndërrojnë qytetarët e tyre në të droguar me imazhe; kjo është forma më e parezistueshme e ndotjes mendore”.

Mandej edhe grafitet pa leje janë dy kategorish: ato të artistëve të talentuar të palejuar, që gjejnë ndonjë cep dhe ia tregojnë ndonjë të vërtetë të pakëndshme pushtetit e popullit, si dhe njerëzit pa ndonjë talent, që shprehin mllefin e tyre ose ndjenja të tjera përmes banales. Vulgariteti si sinjal që ata ekzistojnë, por edhe refuzim i çdo lloj sofistikimi. Antiintelektualizëm autentik e deri në një masë vitalist. Mos pretendo të më luash “borgjezin” kur më ke lënë pa shpresë, pa njerëzillëk, pa atdhe, pa qytet, pa shoqëri, në mëshirë të bizneseve, bamirësve e ojq-ve! Këto të kategorisë së tretë fshihen, gjobiten, konsiderohen vandalizëm. Vazhdojmë me Sontag-un: “Imazhet janë anestetikë”.

Grafitët e kontrolluara dhe detyrimisht pop apo komercialë, bëhen me kujdes të madh, sepse duhet të jenë të lezetshëm, të fotografueshëm, të “tagueshëm”. Sërish Susan Sontag-u: “Fotografimi nuk është pjesëmarrje, vetëm duket si i tillë”. Me rëndësi dukja, askujt nuk i intereson qenia. Ja dhe dy shembuj të famshëm të të njëjtit fenomen, transformimi i Ardit Gjebresë prej njeriut që shkruante e këndonte “Zinxhirë të praruar ty kanë për të t’ofruar, por prapë është skllavëri”, tek njeriu që sot shet telebingo dhe gjyqe popullore televizive; dhe transformimi i Edi Ramës prej artistit që i kundërvihej autoritetit me përqeshje në një ushtrues arrogant e cinik të autoritetit që përqesh popullin. Këto shembuj bëjnë të dukshme diçka të tmerrshme që duhet të ketë ndodhur me shoqërinë tonë.

Në kushte të tilla, njëjtë si në kohën e uzurpimit të arsyes prej përrallave e pallavrave të sofistëve, shfaqet nevoja ime për pedagog. Për njeriun që e gjen dhe e ndërton rrugën, e të udhëheq në të.

Në të tillë terr Migjeni lypës lypi:

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.

Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,

kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,

urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.

Kërkoi Prometheun, titanin që ishte aq burrë sa ta mashtronte regjimin e vjetër për t’ia sjellë zjarrin të lënëve në errësirë. Mjerë ai popull që ka nevojë për hero, thotë skeptiku. Populli i mjerë ka nevojë veç për heronj thotë prometheani. Heronj që nuk tuten të shkatërrojnë ç’është ndërtuar gabim, sepse pa shkatërruar gabimin, nuk mund të ndërtosh mirë:

Pak dritë! O burrë! O hero’ ngado që të jesh. ….

Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!

Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,

se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.

Pas lypjes, ëndrra:

Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!

Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate

ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun

Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.

Kur lexoj ama justifikimet për pop-kulturën, se si ajo lidhet me turizmin e me biznesin, se si na sjell të ardhura me arkitekturën dhe me shitjet e saj, se si krijon vende pune e mirëqenie, prandaj duhet t´ia falim errësirën dhe shkatërrimin që sjell në mendjet tona, më vjen ndërmend një gjë e tillë: Filozofi prodhon ide, poeti poema, kleriku predikime, profesori ligjërata e kështu me radhë. Krimineli prodhon krime.

Po ta shohim më me kujdes këtë degë të prodhimit dhe impaktin e saj shoqëror, do t’i tejkalojmë shumë paragjykime që kemi për të. Krimineli nuk prodhon vetëm krime, por prodhon edhe ligjin penal, e bashkë me të edhe profesorin që ligjëron të drejtë penale, e si shtesë edhe librat e paevitueshëm përmes të cilave profesori ia gjuan ligjëratat e tij tregut të gjerë, si mallra. E gjithë kjo sjell një rritje të ekonomisë kombëtare, e cila është krejtësisht e dallueshme prej kënaqësisë personale që shkrimi i librit ia sjell autorit. Përmbi këto, krimineli prodhon edhe gjithë policinë e gjyqësinë kriminale (pa kriminelin këto s’do të ekzistonin), pra vende pune për gardianë, gjyqtarë, përmbarues, juristë etj. dhe gjithë ato linja të veçanta biznesesh të cilat formojnë llojllojshmëri kategorish të ndarjes së punës, zhvillojnë kapacitete të ndryshme të shpirtit njerëzor, krijojnë nevoja të reja dhe mënyra të reja për t’i përmbushur ato. Për shembull, veç torturën nëse e shohim si zanat, sa e sa teknologji e mekanizma inovativë, sa e sa profesionistë të nderuar janë angazhuar në prodhimin e mjeteve të torturës.

Krimineli prodhon edhe përjetim, pjesërisht moral e pjesërisht tragjik, sipas rastit, dhe kështu i shërben ngacmimit të ndjenjave morale e estetike të publikut të gjerë. Ai jo vetëm që prodhon librat e drejtësisë penale e bashkë me ta ligjvënësit e asaj fushe, por prodhon edhe art, letërsi, novela, madje dhe tragjedi, që nga Mbreti Edip e deri te Rikardi i Tretë.

Krimineli e thyen monotoninë dhe sigurinë e jetës së përditshme. Kështu ai na mbron prej stagnacionit dhe i jep vrull atij tensionit të parehatisë e asaj zhdërvjellësisë pa të cilën impulsi i konkurrencës do të topitej.

Pra, krimineli i stimulon forcat prodhuese. E meqenëse krimi vret një pjesë të popullsisë së varfër, që është në treg të punës, ai shërben edhe për të zvogëluar konkurrencën mes punëtorëve, gjë që ndihmon në mos-zvogëlimin e rrogave. Për më tepër, një pjesë tjetër të kësaj popullsie, krimi bën të mundur që të punësohet në agjencitë krim-luftuese, si në polici etj.

Kështu që, rrofshin kriminelët, rroftë pop-kultura, rroftë estrada jonë, tallavaja, best-sellerët, eurovizioni, televizioni, VIP-at, influencerët, starkitektët, artistët institucionalë, të famshmit dhe skota e tyre!

Marko Polo, në fund të rrugës së gjatë drejt lindjes, takon hanin mongol e perandorin kinez, Kubilain. Hani i Madh na e pret udhëtarin me të gjitha të mirat e na i kërkon t’i kallëzojë gjatë qëndrimit të tij në oborr për secilin qytet që e ka hasur rrugës. Kështu Marko Polo nis rrëfimin për 55 qytete që mbajnë emra grash. Nuk zgjatet shumë te pamja e qyteteve që mund të na përcjellë çdo imazh sado i pavlerë, as te kodet zakonore e ligjore apo rrethanat demografike e ekonomike që fundja i gjen në botime byrokratishteje, por më shumë i flet për ndjenjat dhe emocionet, aromat, shijet, zhurmat, prekjet, kujtimet, fantazitë për të ardhmen, shenjat e nëndukshme të secilit qytet. Kubilai Hani e dëgjon me vëmendje këtë raportim inteligjence të vërtetë e jo artificiale, që ndoshta i hyn më shumë në punë për pushtimin e qyteteve e pse jo edhe të vetes.

Kjo është premisa e “Qyteteve të Padukshme” të Italo Kalvinos.

Libri është lojcak e eksperimental, letërsi e kombinuar me semiotikë e strukturalizëm, një lloj mozaiku që mund të shpërbëhet e të ripërbëhet në të tjera sekuenca që japin gjithnjë tjetër rezultat.

Sidoqoftë, në sekuencën zyrtare pra në atë të botuarën, libri mbyllet me Kubilain që pyet, pesimist, se për çka hyjnë vallë në punë këto rrëfime, ç’është kuptimi i tyre, kur fundi i çdo qyteti është një vorbull, një spirale zbritëse që i thith të gjithë në skëterrë.

E paragrafi krejt i mbramë është përgjigjja e Marko Polos, sipas përkthimit tim:

“Skëterra e të gjallëve nuk është ndonjë gjë që do të ndodhë dikur në të ardhmen, se nëse ekziston, ajo tashmë është këtu. Është skëterra ku banojmë përditë, që formojmë duke ndenjur bashkë. Dy mënyra ka që të mos vuash në të. E para arrihet me lehtësi nga shumëkush: ta pranosh skëterrën e të bëhesh pjesë e saj deri në pikën sa ajo të të bëhet e padukshme. E dyta është e rrezikshme dhe lyp vëmendje e mësim të vazhdueshëm: të kërkosh e të dish të njohësh njerëzit e gjërat që edhe midis skëterrës nuk janë skëterrë, t’i bësh të jetojnë më gjatë, t’u japësh hapësirë.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button