Mexhiti: BDI i hapi rrugë botës serbe në politikë, nëntokë dhe banka, shoqëria do të lirohet nga pasojat e këtij trinomi kancerogjen

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka akuzuar BDI-në se gjatë kohës në pushtet i ka hapur rrugë shtrirjes së ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut, përmes politikës, nëntokës kriminale dhe sektorit bankar.
Duke komentuar dokumentin zyrtar përmes të cilit, sipas tij, qeveria LSDM-BDI i krijoi bazën ligjore dhe institucionale ardhjes së Alta Bankës në vend, Mexhiti tha se paralajmërimet e tij për depërtimin e asaj që e quan “botë serbe” po marrin dëshmi konkrete.
“Bota serbe, gjatë qeverisjes së BDI-së, gjeti zbatim aktiv përmes shtrirjes në tre segmente kyçe: projektit ‘Open Balkan’, mafisë së bixhozit dhe sektorit bankar”, ka shkruar Mexhiti.
Ai e cilësoi bashkëjetesën e këtyre tri hallkave si rrezik serioz për shtetin, duke akuzuar BDI-në për lidhjen e krimit me institucionet dhe për kapjen e shtetit.
Mexhiti kritikoi gjithashtu retorikën aktuale të BDI-së, duke thënë se zhurma nacionaliste e kësaj partie synon të mbulojë përgjegjësinë për vendimet e saj të mëparshme.
“Trinomi ‘Bota serbe – nëntoka serbe – banka serbe’ ngadalë po demontohet. Shoqëria do të lirohet nga pasojat e këtij trinomi kancerogjen”, ka deklaruar Mexhiti.
Në fund, bashkëkryetari i VLEN-it paralajmëroi pasoja për përgjegjësit, duke theksuar: “Për ata që na e shkaktuan këtë epidemi filoserbe, pasoja do të ketë, për këtë ju siguroj.”



