Presidenti turk pret kryeministrin armen në margjinat e COP31

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti të mërkurën kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, në margjinat e samitit të OKB-së për klimën COP31, që po mbahet në provincën jugore turke të Antalyas, raporton Anadolu.
Takimi u përqendrua në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Armenisë, si dhe në zhvillimet rajonale.
Erdogan tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve po përparon përmes hapave konstruktivë, duke theksuar se tashmë janë ndërmarrë disa hapa simbolikë, por me rëndësi të veçantë.
Ai gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e ngushtë dhe mbështetjen e Turqisë për procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, nënkryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Celik, kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), Ibrahim Kalin, drejtori i Komunikimeve pranë Presidencës, Burhanettin Duran, anëtari i Bordit Presidencial për Politikat e Bujqësisë dhe Ushqimit, Mehdi Eker, si dhe Akif Cagatay Kilic, këshilltari kryesor i presidentit për politikën e jashtme dhe sigurinë.



