Mijëra persona të udhëhequr nga e djathta ekstreme marshojnë për pavarësi në Poloni

Mijëra persona u mblodhën në kryeqytetin Varshavë për marshimin vjetor të Ditës së Pavarësisë së Polonisë, të udhëhequr nga e djathta ekstreme, disa ditë pasi një sulm me armë zjarri në Krakov la të vrarë gjashtë persona, transmeton Anadolu.
Pjesëmarrësit u mblodhën në qendër të Varshavës duke mbajtur flamuj polakë, ndërsa në terren u angazhuan forca shtesë policore për të garantuar sigurinë e demonstratës.
Organizatorët parashikuan një pjesëmarrje rekord në marshimin vjetor të Ditës së Pavarësisë, i cili prej kohësh është burim tensionesh ndërmjet grupeve të djathta dhe forcave të moderuara që qeverisin Poloninë.
Tubimi u mbajt në një kohë tensionesh të shtuara politike pas të shtënave me armë zjarri të së shtunës, të cilat i shtynë autoritetet të rishikojnë masat e sigurisë për aktivitetet e Ditës së Pavarësisë.
Pas sulmeve, ministri i Punëve të Brendshme, Marcin Kierwinski, tha se sipas gjetjeve fillestare sulmuesi kishte “pikëpamje shumë radikale” dhe ishte i magjepsur nga ideologjitë e së djathtës ekstreme.
Kryeministri Donald Tusk bëri thirrje për përmbajtje, duke theksuar se pavarësisht dallimeve politike, pavarësia, liria dhe siguria kombëtare mbeten vlera të përbashkëta.
“Ne i kemi dënuar sulmet politike të lidhura me këtë tragjedi, pavarësisht nëse kanë ardhur nga e djathta apo nga e majta”, tha Rafal Buca, zëdhënës i organizatorëve të marshimit, për gazetën britanike The Independent.
Marshimi vjetor është përballur me kritika për retorikën nacionaliste dhe kundër emigracionit, ndërsa mbështetësit e tij e mbrojnë si një tubim patriotik, në të cilin marrin pjesë edhe familje.
Polonia e shënon Ditën e Pavarësisë më 11 nëntor, duke përkujtuar rikthimin e sovranitetit të saj në vitin 1918, në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

