Mickoski: Synojmë që rritja e çmimeve të produkteve bazë të bjerë nën 3 për qind në korrik

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se qeveria dhe përfaqësuesit e zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve në vend janë dakorduar të punojnë për uljen e inflacionit të produkteve bazë ushqimore, me synim që rritja vjetore e çmimeve të jetë nën 3 për qind gjatë muajit korrik, transmeton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se në takimin e zhvilluar një ditë më parë me përfaqësues të zinxhirëve të marketeve, janë analizuar efektet e krizës ekonomike dhe janë përcaktuar objektiva të përbashkëta që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme.
“Një nga këto objektiva është që në muajin korrik, norma vjetore e ndryshimit të çmimeve të produkteve bazë ushqimore të mos jetë më e madhe se 3 për qind”, tha Mickoski.
Ai theksoi se për arritjen e këtij qëllimi do të nevojiten edhe konsultime me prodhuesit, distributorët dhe furnizuesit, pas së cilave pritet të mbahet një takim i përbashkët për të dakorduar masat konkrete.
Sipas Mickoskit, qëllimi është që qytetarët të kenë qasje në produkte cilësore me çmime sa më të ulëta dhe që të sigurohet një qasje e përgjegjshme nga të gjitha palët e përfshira në zinxhirin e furnizimit.
Ai rikujtoi se inflacioni i produkteve bazë ushqimore në muajin maj ishte rreth 4,5 deri në 4,7 për qind, ndërsa tha se qeveria synon që nga korriku kjo normë të ulet nën nivelin prej 3 për qind përmes zgjidhjeve afatgjata dhe sistemore.



