Mbi 140 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbyllur në mesnatë afatin e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur për Anadolu se në këtë periudhë e cila u hap më 6 maj, janë pranuar mbi 142 mijë kërkesa për regjistrim apo rreth 12 mijë më shumë se sa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Ai theksoi se KQZ-ja ka pranuar gjithsej 142.803 kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike ndërsa deri tani 109.696 aplikime janë aprovuar, 7.325 janë refuzuar dhe 25.702 të tjera mbeten në shqyrtim.

Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, sipas tij, është votimi përmes postës.

“Nga 109.696 aplikime të aprovuara, 81.901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2.855 të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24.940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar ai.

Elezi shtoi se votimi përmes postës do të zhvillohet më herët, nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.

“Për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi. Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata”, ka theksuar ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button