Një javë pa raste të reja me ethet e Nilit Perëndimor

Javën e kaluar, nga 30 shtatori deri më 6 tetor, në Maqedoni nuk u raportuan raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor dhe as vdekje të reja.
Dy pacientë janë lëshuar nga trajtimi spitalor, sipas raportit më të fundit javor të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).
Që nga fillimi i vitit deri më 6 tetor, në vend janë regjistruar gjithsej 71 raste me virusin e Nilit Perëndimor, prej të cilave 66 janë të konfirmuara dhe pesë të mundshme. Kanë ndërruar jetë dhjetë pacientë, të gjithë burra të moshës 62 deri në 83 vjeç.
Personat që kanë ndërruar jetë ishin nga Shkupi (9) dhe Kumanova (1). Të gjithë ishin të shtruar në spital, ndërsa në nëntë raste janë evidentuar sëmundje të mëparshme.
Nga 69 pacientët e shtruar në spital me formën neuroinvazive të sëmundjes, 56 janë lëshuar nga spitali, ndërsa tre vazhdojnë trajtimin. Kohëzgjatja mesatare e trajtimit spitalor, si për pacientët e lëshuar nga spitali, ashtu edhe për ata që kanë ndërruar jetë, është 15 ditë.
Pjesa më e madhe e pacientëve, gjithsej 63 persona, janë nga rajoni i Shkupit. Tri raste janë regjistruar në Veles dhe rrethinë, dy në Kavadar dhe rrethinë, si dhe nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Tetovë.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 52 janë burra dhe 19 janë gra.


