Konjufca: Njohja e Kosovës nga Greqia do të hapte një kapitull të ri
Konjufca tha se marrëdhëniet më të afërta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Greqisë i shërbejnë stabilitetit dhe së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar në Athinë homologun e tij grek, George Gerapetritis, me të cilin ka diskutuar për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, transmeton Anadolu.
Përmes një njoftimi në rrjetin social amerikan X, Konjufca tha se marrëdhëniet më të afërta midis Kosovës dhe Greqisë i shërbejnë stabilitetit dhe së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Ishte kënaqësi të takoja homologun tim grek, ministrin e Jashtëm, George Gerapetritis, në Athinë, me të cilin diskutuam për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Shpreha mirënjohjen time për angazhimin konstruktiv të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë ndaj Kosovës dhe theksova rëndësinë e avancimit të aplikimit tonë për anëtarësim në BE”, shkroi Konjufca.
Më tej, ai tha se në këtë takim ritheksoi rëndësinë që ka njohja e Kosovës nga Greqia.
“Ritheksova se Kosova është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe theksova se njohja e Kosovës nga 🇬🇷 Greqia do të hapte një kapitull të ri, jo vetëm në marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe në bashkëpunimin rajonal”, shkroi Konjufca.
Në fund u bë e ditur se Konjufca e ka ftuar ministrin Gerapetritis për një vizitë në Republikën e Kosovës, në kuadër të vazhdimit të përpjekjeve për t’i afruar edhe më shumë të dy vendet.
Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.



