Në Kuvend prezantohet Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026

Keni bërë shumë gjëra në harmonizimin e ligjeve dhe rregullave me legjislacionin evropian por pa ndryshime kushtetuese, nuk ka negociata. Ky ishte mesazhi të cilin e përçoi euro ambasadori Mihalis Rokas, gjatë prezantimit dhe diskutimit për raportin e KE-së për vitin 2026. Rokas përshëndeti disa reforma që u miratuan sivjet në Kuvend ndërsa theksoi se e radhës është Kodi i ri Penal. Por për Rokasin dhe Bashkimin Evropian, shqetësuese ngelet ajo që shumica parlamentare nuk i posedon 2/3 e votave.

“Faza e ardhshme ngelet ajo që jemi dakorduar paraprakisht, ndryshimet kushtetuese, marrëveshja për administratën publike dhe reformat në gjyqësor. Koha e reformave është tani! Duhet të sigurohemi se ligjet e miratuara nuk do të ngelin vetëm në letër por edhe do të zbatohen. Është vërejtur se në Kuvend jo gjithmonë sigurohet 2/3 e shumicës dhe kjo shkakton vështirësi në miratimin e ligjeve siç janë ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, zgjedhja e avokatit të popullit e të tjera”, deklaroi Mihalis Rokas – Ambasador i BE-së në RMV.

Por për presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, qartësia e kritereve për integrim në fazën para integruese janë zhëgnjyese dhe demotivuese.

“Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë trajtim të posaçëm, nuk kërkojmë standarde më të ulta. Kërkojmë zbatim konsekuent të rregullave, principeve dhe vlerave, barazie, sigurisë juridike dhe inkuadrim të bazuar në merita. Çdo paqëndrueshmëri e procesit paraqet problem. Mesazhi për fqinjët tanë është se marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë shtyllë e Bashkimit Evropian dhe jo instrument për shtyrjen e pacaktuar të perspektivës evropiane”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente.

Për kreun e opozitares LSDM, raporti për vitin 2026 është katastrofal. Akuzon Qeverinë se e largoi shtetin nga grupi i shteteve që kishin rrugën e qartë drejt BE-së, përkatësisht në krah të Shqipërisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Ukrainës.

“Raporti është katastrofal. Nuk ka asnjë përparim në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në ligjvënien zgjedhore dhe tek mediat. Tani do ti bëj thirrje euro ambasadorit Rokas të komentojë sipas shembullit të kryetares Fon der Lajen e cila tha se na presin me identitetin dhe gjuhën tonë. Vallë a nuk është ky sinjali më i mirë dhe më i madh se kjo politikë e kësaj Qeverie vitet e fundit, gjithçka që bëri LSDM e quajti tradhëti dhe politikë tradhëtore. Me këto në mënyrë indirekte akuzohet edhe Unioni Evropian”, theksoi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.

Raporti i Komisionit Evropian i cili u publikua në fillim të këtij muaji, vlerësoi se shteti ka shënuar progres në disa reforma por kërkohet rezultate konkrete në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet kushtetuese./Alsat.mk.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button