Kurtua nuk kthehet në kombëtares, derisa të largohet trajneri Tedesko
Tibo Kurtua, portieri i Real Madridit, ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të rikthehet në kombëtaren e belgjikës për sa kohë në krye të saj si trajner të jetë Domeniko Tedesko. Kjo deklaratë erdhi pas ngjarjeve që e prekën sezonin e kaluar, deri në dështimin për t’u thirrur në “Euro 2024”. Qëndrim të fortë ka mbajtur portieri i lindur më 1992, i cili për këtë arsye largohet nga “Djajtë e Kuq”, të paktën përkohësisht, pasi ka bërë gjithsej 102 paraqitje me ta.
Konflikti mes Tibo Kurtua dhe trajnerit aktual të Belgjikës, Domeniko Tedesko, sigurisht lindi nga ajo që ndodhi në “Euro 2024”. Trajneri i Belgjikës vendosi ta lërë jashtë skuadrës së Europianit portierin veteran, duke njoftuar për shtypin mosdisponueshmërinë e tij, pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar në fillim të sezonit të kaluar.
Portieri i Real Madridit nuk e ka marrë mirë atë rast, duke mohuar fjalët e trajnerit mjaft ashpër: “Nuk ishte i sinqertë, tregoi mungesë respekti ndaj meje”.
Vendimi i Kurtua-s është rezultat i një përballjeje të tensionuar me trajnerin, e cila ka ngritur shqetësime dhe paqartësi sa i përket drejtimit teknik të kombëtares belge. Pavarësisht përkushtimit dhe dashurisë që Kurtua ka treguar gjithmonë për fanellën e Belgjikës, dallimet me drejtuesit teknik e shtynë atë të marrë një pozicion krejtësisht të kundërt.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se situata mund të arrinte në këtë pike. Pas reflektimit të thellë, kam vendosur të mos kthehem në kombëtare për sa kohë të jetë trajneri aktual,” tha mes tjerash .
Kurtua nënvizoi se ky vendim është rezultat i reflektimit dhe diskutimeve të thella me federatën belge. Portieri pranoi se ndihej pjesërisht përgjegjës për situatën, por gjithashtu deklaroi se mungesa e besimit te trajneri aktual nuk do të kontribuonte në ruajtjen e mjedisit pozitiv dhe produktiv të nevojshëm për suksesin e kombëtares. Federata belge, duke kuptuar vështirësinë e situatës, pranoi qëndrimin e Kurtua-s dhe respektoi vendimin e tij.