119 punësime të reja në Spitalin Klinik të Tetovës, Bislimi: Po forcojmë kapacitetet dhe po investojmë në shërbime më cilësore

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, ka njoftuar se në Spitalin Klinik të Tetovës janë miratuar 119 punësime të reja nga 13 profile të ndryshme profesionale, në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe forcimin e kapaciteteve të institucionit.
Sipas Bislimit, ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të spitalit dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
“Sot në Spitalin Klinik të Tetovës u hodh një tjetër hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor me miratimin e 119 punësimeve të reja nga 13 profile të ndryshme profesionale, të nevojshme për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni”, deklaroi Bislimi.
Ai theksoi se këto punësime vijnë pas 38 angazhimeve të realizuara gjatë muajve të kaluar, duke bërë që numri i përgjithshëm i kuadrove të reja të angazhuara gjatë këtij viti në Spitalin Klinik të Tetovës të arrijë në 157.
“Çdo punësim i ri nënkupton më shumë kapacitet, më shumë përkujdesje dhe shërbime më cilësore për pacientët”, tha ai.
Bislimi njoftoi gjithashtu se krahas përforcimit të stafit, po vazhdon edhe projekti i madh për transformimin e plotë të spitalit, me vlerë rreth 74 milionë euro.
“Paralelisht me përforcimin e stafit, po vazhdon edhe projekti madhor prej rreth 74 milionë eurosh për transformimin e plotë të spitalit, i cili do të sjellë standarde moderne, kushte më të mira pune dhe shërbime më efikase për qytetarët”, u shpreh ai.
Në fund, Bislimi vlerësoi bashkëpunimin me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, duke shtuar se Tetova dhe rajoni i Pollogut meritojnë shërbime shëndetësore moderne dhe dinjitoze.
“Besoj se Tetova dhe i gjithë rajoni i Pollogut meritojnë shërbime shëndetësore moderne dhe dinjitoze, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në këtë drejtim”, përfundoi Bislimi.



