Kryeparlamentari Gashi në ceremoninë e diplomimit në IBU: Arsimi është investimi më i sigurt për të ardhmen

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së 16-të në Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, duke e cilësuar këtë moment si një nder dhe kënaqësi të veçantë.
Në fjalën e tij, Gashi theksoi rëndësinë e arsimit si bazë për zhvillimin e shoqërisë dhe të ardhmen e vendit.
“Investimi në arsim mbetet investimi më i sigurt për të ardhmen dhe të rinjtë e diplomuar janë potenciali më i madh i shoqërisë sonë,” u shpreh ai.
Ai vuri në dukje se vlera e diplomës nuk qëndron vetëm në marrjen e saj, por në mënyrën se si ajo përdoret në shërbim të shoqërisë.
“Diplomat marrin vlerë përmes dijes, etikës dhe përgjegjësisë me të cilën secili prej tyre do t’i shërbejë shoqërisë,” theksoi kryeparlamentari.
Në fund, Gashi uroi të gjithë të diplomuarit për arritjen e tyre dhe u dëshiroi suksese në rrugëtimin profesional.
“Uroj të gjithë të diplomuarit për këtë arritje të rëndësishme dhe ju dëshiroj suksese në rrugëtimin tuaj profesional,” përfundoi ai.



