Kurti propozon Justina Pulën për presidente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sërish në një konferencë për media dhe ka ndërruar propozimin për postin e presidentit.
Kurti ka propozuar kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pulën, për këtë pozitë dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë. Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen, edhe në lexim të dytë, nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë edhe për presidentin.
Kryeministri ka theksuar se Shiroka-Pula ka qenë ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi 1 dhe e ka ftuar Hamzën që ta bindë atë për këtë post.
“Po ja votojmë paraprakisht projektligjin për Specialen, jo më pas. Përpara. Seanca të mbahet me dy pika. Pika e parë leximi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen e mandej votimi për presidente, profesoreshën Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-ministre në Qeverinë Thaçi 1”, tha Kurti.
I pyetur nëse është kontaktuar Justina Shiroka Pula, Kurti ka thënë që Hamza duhet ta kontaktojë dhe ta bindë.
“Ka qenë ministre e PDK-së, le ta bindë z. Hamza unë jam dakord”, tha Kurti.
Edhe para kësaj konference, Kurti deklaroi se janë të gatshëm që së pari të votohet në lexim të dytë për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president.
Por, emrat e propozuar më parë nga Kurti ishin Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.
Pas Kurtit, në konferencë doli kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe e refuzoi propozimin.
Hamza i quajti joserioze propozimet e Kurtit, ndërsa theksoi se të dy emrat e propozuar nga Kurti për president janë politik. Sipas Hamzës edhe Feride Rushiti është Vetëvendosje porse nuk e di ka edhe librezë të këtij subjekti politik.



