Kryediplomatët arabë thirrje SHBA-së të ndalojë favorizimin e Izraelit dhe të refuzojë zhvendosjen e palestinezëve

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe kanë hedhur poshtë zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre, duke i bërë thirrje SHBA-së të rishqyrtojë paragjykimin e saj për Izraelin, transmeton Anadolu.
Në një rezolutë të miratuar pas një takimi në selinë e Ligës Arabe në Kajro, ministrat e jashtëm kërkuan nga Washingtoni “të punojë me zell dhe sinqeritet me palët përkatëse për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete”.
Ministrat e jashtëm bënë thirrje për “t’i mundësuar popullit palestinez të përcaktojë fatin e tij në shtetin e tij të pavarur, sovran, të qëndrueshëm dhe gjeografikisht të afërt”.
Ata gjithashtu kërkuan nga SHBA-ja të ushtrojë presion mbi Izraelin për “t’i dhënë fund pushtimit të tij dhe për të ndaluar veprimet e tij të njëanshme që po shkatërrojnë zgjidhjen me dy shtete”.
Thirrja arabe vjen para një turneu të planifikuar rajonal nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që do të përfshijë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Thirrja gjithashtu vjen para samitit vjetor arab në Irak, që është paraparë të mbahet më 17 maj.
Rindërtimi i Gazës
Ministrat e jashtëm arabë gjithashtu apeluan për ofrimin e mbështetjes politike, financiare dhe ligjore për rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës shkatërruese të Izraelit.
Ata përshëndetën mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh në Kajro për rindërtimin e Gazës dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë pjesë në takim për të përshpejtuar rindërtimin e enklavës palestineze.
Më 4 mars, një samit emergjent arab në Kajro miratoi planin e rindërtimit prej 53 miliardë dollarësh të Egjiptit për të rindërtuar Rripin e Gazës pa i zhvendosur palestinezët nga toka e tyre.
Ministrat arabë gjithashtu përsëritën mbështetjen e tyre për mbajtjen e një konference ndërkombëtare të bashkë-kryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca në muajin qershor mbi zgjidhjen me dy shtete.
Ata pohuan “refuzimin kategorik” të zhvendosjes së palestinezëve nga toka e tyre, duke e quajtur atë “pjesë të krimit të gjenocidit” dhe “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi ofensivën e tij në Rripin e Gazës, duke braktisur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në muajin janar. Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Gaza ka vrarë të paktën 51.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën që e ka lënë territorin në prag të urisë.