Mbi 13 mijë nxënës të regjistruar në shkollat e mesme në afatin e parë të regjistrimit

Në afatin e parë të regjistrimit për vitin shkollor 2026/2027 në shkollat e mesme në vend janë regjistruar 13.397 nxënës nga gjithsej 15.075 kandidatë të paraqitur. Pjesa më e madhe e të regjistruarve janë në mësim në gjuhën maqedonase, ndërsa mbi 3.300 nxënës janë regjistruar në mësim në gjuhën shqipe.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, interesimi më i madh ka qenë për arsimin profesional, ku janë regjistruar 8.910 nxënës, ndërsa në arsimin gjimnazial vendet i kanë siguruar 4.278 nxënës.
Në Gostivar tashmë janë plotësuar disa profile arsimore. Në OSTU “Gostivar” ka përfunduar konkursi për teknik arkitektonik, si dhe për drejtimet teknik elektroteknik për elektronikë dhe telekomunikacion, teknik për mekatronikë industriale dhe teknik elektroteknik për teknikë kompjuterike dhe automatizim.
Interes i madh është shënuar edhe në SOMU “Gostivar”, ku janë plotësuar vendet për infermier dhe teknik farmaceutik në mësim në gjuhën shqipe.
Për regjistrimin e dytë mbeten të lira gjithsej 11.882 vende në shkollat e mesme në mbarë vendin, prej të cilave 4.002 janë për mësim në gjuhën shqipe. Aplikimi elektronik për afatin e dytë të regjistrimit do të realizohet më 23 qershor, ndërsa listat përfundimtare do të publikohen më 25 qershor.



