Kosovë, masa të shtuara të sigurisë në prag të shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së

Në Kosovë janë shtuar masat e sigurisë në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë, transmeton Anadolu.
Në qendër të kryeqytetit Prishtinë janë vendosur barriera mbrojtëse pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës ndërsa në terren shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kujdesen për rendin dhe sigurinë publike, ndërsa deri më tani nuk është vërejtur prani e forcave speciale.
Ndërkohë, në Mitrovicën e Veriut atmosfera është e qetë, ndërsa në urën kryesore mbi lumin Ibër janë vendosur pjesëtarë të karabinierëve të KFOR-it italian si dhe disa automjete të Policisë së Kosovës në të dyja anët e urës.
Në qytet vërehet një numër më i vogël qytetarësh dhe patrulla të shtuara të Policisë së Kosovës përgjatë shëtitores drejt urës kryesore, me disa pjesëtarë të pajisur me jelekë antiplumb. Përveç zonës së urës kryesore, nuk është vërejtur prani e shtuar e KFOR-it në rrugët e qytetit.
Masat e sigurisë janë shtuar në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, rreth tre vjet e gjysmë pas nisjes së gjykimit dhe gati gjashtë vjet pas arrestimit dhe transferimit të tyre në paraburgim në Hagë.
Thaçi dhe të tjerët përballen me akuza për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.



