Kosovë, Gjykata cakton një muaj paraburgim për shtatë të dyshuarit për kërcënim të votuesve në Graçanicë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga gjykata, të pandehurit me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M. do të qëndrojnë në paraburgim për një periudhë prej një muaji, bazuar në vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale. Po ashtu duke marrë parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke konsideruar paraburgimin si masën e vetme adekuate për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procesit.

Tutje u bë e ditur se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Autoritetet kosovare arrestuan shtatë persona të nacionalitetit serb në Graçanicë nën dyshimet për kërcënim, presion dhe shantazh ndaj votuesve para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se këto veprime burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia. Nga ana tjetër, Lista Serbe i cilësoi arrestimet si përpjekje për “integrim të dhunshëm” të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë dhe akuzoi ministrin në detyrë Nenad Rashiq për targetim të serbëve. Reagime pati edhe nga autoritetet në Serbi, të cilat kërkuan përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në këtë çështje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button