Kosovë, evakuohen 18 minatorët e ngujuar në minierën e Trepçës

Minatorët të cilët mbetën të ngujuar prej rreth 12 orësh në minierën e Trepçës në Mitrovicë, janë nxjerrë jashtë pa dëmtime dhe lëndime serioze, transmeton Anadolu.
Ekipet emergjente mjekësore i kanë pranuar me të dalë jashtë dhe ata të cilët kanë pasur nevojë janë dërguar për trajtim mjekësor.
Në vend të ngjarjes ka dalë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se do të bëjnë një hetim për atë që ndodhi dhe a mund të parandalohej.
Gjithsej 18 minatorë të ndërrimit të natës mbetën për 12 orë të ngujuar brenda minierës së Trepçës, në thellësi prej rreth 800 metrash, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike të shkaktuar nga një defekt në linjën 35 kV Stan Tërg.
Pas angazhimit të ekipeve teknike dhe skuadrave të shpëtimit, është arritur që situata të menaxhohet dhe minatorët të nxirren jashtë minierës pa pasoja.
Më herët, Ndërmarrja Publike “Trepça” kishte bërë të ditur se në ndërrimin e tretë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë, prej të cilëve 29 kishin arritur të dalin më herët nga miniera, ndërsa 18 të tjerë kishin mbetur brenda.
Gjatë gjithë kohës, sipas përgjegjësve, komunikimi me minatorët ka qenë i vazhdueshëm dhe gjendja e tyre është monitoruar nga afër.
Në minierë thanë se tani gjithçka është normalizuar dhe minatorët do të vijojnë me punë normale.



