Kuvendi konstaton dorëheqjen e zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot ka konstatuar dorëheqjen e zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski. Deputetët miratuan rendin e ditës për seancën e 126-të, ndërsa para debatit dhe votimit për pikat e propozuara po zhvillohen pyetjet e deputetëve të opozitës.

Në rendin e ditës të seancës së 126-të janë përfshirë propozim-ligji për ratifikimin e Protokollit të Tretë të Marrëveshjes së Përgjithshme për Privilegjet dhe Imunitetet e Këshillit të Evropës, propozimi për zgjedhjen e një anëtari të jashtëm të Komisionit të Letrave me Vlerë, si dhe propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjithashtu, në rend dite janë propozim-vendimi për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit për ndarjen e çmimit shtetëror “Goce Dellçev”, propozim-ligji i plotësuar për revizionin shtetëror, në lexim të tretë, si dhe propozim-vendimi për ndryshimin e vendimit që miraton zgjatjen e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të saj në territorin e vendit.

Në rend dite është përfshirë edhe kërkesa e deputetes Daniela Nikolova për interpretim autentik të nenit 141, paragrafi 4, të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës.

Deputetët nuk e miratuan propozimin që në rendin e ditës të përfshihej, me procedurë të shkurtuar, Ligji për mbështetjen financiare për zvogëlimin e pasojave të krizës ekonomike në prodhimin bujqësor dhe blegtoral, si dhe në blerjen e produkteve bujqësore për vitin 2026.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button