Pushtuesit izraelitë i vënë zjarrin dhomës së lutjeve dhe një makine në Kuds

Pushtuesit izraelitë i kanë vënë zjarrin një dhome lutjesh (mesxhid) dhe një makine si dhe kanë shkruar parulla raciste në vendbanimin Mukhmas, në verilindje të Kudsit të pushtuar, sot herët në mëngjes.
Anëtari i Këshillit komunal të Mukhmasit, Mohammed Kanaan tha për Anadolu se një grup pushtuesish izraelitë sulmuan zonën rreth orës 02:00 sipas orës vendase dhe i vunë zjarrin dhomës së lutjeve dhe një makine.
“Pushtuesit shkruan parulla raciste në vendin e ngjarjes”, tha Kanaan duke shtuar se banorët lokalë njoftuan menjëherë autoritetet përkatëse dhe kërkuan ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse për të shuar zjarrin.
Sulmi vjen në një kohë kur dhuna e pushtuesve izraelitë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre vazhdon në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor. Sulmi përkon me sezonin e vjeljes së ullinjve, gjatë të cilit janë shtuar sulmet ndaj fermerëve palestinezë.
Të hënën, Komisioni Palestinez për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit bëri të ditur se kishte dokumentuar 136 sulme nga ushtria izraelite dhe pushtuesit, të lidhura me sezonin e vjeljes së ullinjve, që nga fillimi i tetorit.
Sipas komisionit, sulmet përfshinin rrahje, dëbime, frikësime, të shtëna me armë zjarri, përdorim të gazit lotsjellës, arrestime, vjedhje të ullinjve dhe pajisjeve të vjeljes si dhe dëmtim të pemëve. Këto sulme kanë dëmtuar fermerët palestinezë dhe u kanë kufizuar qasjen në tokat e tyre.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, në tetor të vitit 2023, bastisjet e ushtrisë izraelite dhe sulmet e pushtuesve ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre janë shtuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.



