Klubet turke dënojnë ndërhyrjen e policisë ndaj tifozëve të Beshiktashit në Gjeorgji

Disa klube të Superligës turke dënuan ndërhyrjen e forcave të sigurisë ndaj tifozëve të Besiktasit në Gjeorgji, ndërsa kritikuan UEFA-n për mohimin e së drejtës së ekipeve turke për të zhvilluar në vendin e tyre ndeshjet si vendas kundër ekipeve izraelite, pas përleshjeve që shpërthyen të enjten gjatë ndeshjes së Besiktasit në Ligën Europa kundër Hapoel Beer-Shevas, transmeton Anadolu.
Trabzonspori ishte klubi i parë që shprehu mbështetjen për Besiktasin. “Nuk e pranojmë që ekipeve turke t’u mohohet e drejta për t’i zhvilluar ndeshjet si vendas në vendin e tyre dhe para tifozëve të tyre kur përballen me ekipe nga shteti pushtues i Izraelit”, thuhet në një deklaratë të klubit.
“Nuk i konsiderojmë të pranueshme standardet e dyfishta të UEFA-s për këtë çështje”, thuhet më tej në deklaratë.
Trabzonspori dënoi gjithashtu ashpër atë që e cilësoi si ndërhyrje joproporcionale të forcave të sigurisë ndaj tifozëve të Besiktasit në Gjeorgji, më herët gjatë mbrëmjes dhe gjatë ndeshjes.
“Të qëndrojmë së bashku dhe të veprojmë si një i vetëm përballë padrejtësive ndaj futbollit turk dhe tifozëve tanë është përgjegjësia jonë më themelore”, thuhet në deklaratë.
Klubi shprehu solidaritet me Besiktasin dhe tifozët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë tifozëve që u lënduan gjatë incidenteve dhe u dërguan në spital.
Edhe Erzurumspori, një tjetër klub i Superligës, publikoi një deklaratë në mbështetje të Besiktasit, duke thënë se qëndron përkrah klubit nga Stambolli.
“Qëndrojmë gjithashtu përkrah tifozëve të Besiktasit, ndaj të cilëve u përdor forcë joproporcionale këtë mbrëmje, dhe u urojmë shërim të shpejtë tifozëve të lënduar gjatë incidenteve dhe të dërguar në spital”, thuhet në një postim të Erzurumsporit në llogarinë e tij zyrtare.
Përleshjet mes policisë gjeorgjiane dhe tifozëve të Besiktasit shpërthyen pasi policia ndërhyri kur një tifoz shpalosi një flamur palestinez në tribuna. Më pas, policia përdori sprej me piper dhe e rrethoi tifozin.
Pas incidenteve në tribuna, gjyqtarët ndërprenë ndeshjen dhe u larguan nga fusha.
Fenerbahçe deklaroi se “përdorimi i forcës joproporcionale ndaj tifozëve të Besiktasit, të cilët, ashtu si çdo qytetar turk që e sheh qëndrimin në krah të të shtypurve si përgjegjësi njerëzore, shprehën mbështetjen e tyre për popullin palestinez, është i papranueshëm”.
Edhe Galatasaray dënoi ndërhyrjen joproporcionale, duke i bërë thirrje UEFA-s që “t’u japë fund praktikave që devijojnë nga parimi i barazisë dhe përfshijnë standarde të dyfishta ndaj klubeve tona”.
Edhe klubet e tjera të Superligës, Basaksehir dhe Samsunspor, dënuan ndërhyrjen e policisë dhe shprehën mbështetjen e tyre për Besiktasin.



