Kurti: Qendra për zhvillimin e teknologjisë së dronëve në Podujevë funksionalizohet në vitin 2027

Qendra shkencore dhe inovative për zhvillimin e teknologjisë së dronëve në Podujevë pritet të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit 2027, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Anadolu.

Duke iu përgjigjur në Kuvendin e Kosovës pyetjes së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me mbështetjen buxhetore për zhvillimin dhe prodhimin vendor të dronëve, Kurti tha se objekti i qendrës është i gatshëm dhe se funksionlizimi i saj pritet të bëhet përmes afateve të dakorduara.

Ai bëri të ditur se më 4 tetor 2026, përmes Ministrisë së Mborjtjes, është koordinuar nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet fondacionit turk “T3”, të udhëhequr nga kompania “Bayraktar” dhe Komuna e Podujevës.

Sipas Kurtit, qendra do të jetë institucion publik nën menaxhimin e komunës dhe do të ofrojë mundësi për trajnime, inovacion dhe zhvillimin e projekteve teknologjike.

“Objekti është i gatshëm dhe sipas afateve të dakorduara, planifikohet që qendra të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm 2027”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se fondacioni “T3” do të mbështesë transferimin e teknologjisë dhe njohurive, ndërsa shpenzimet administrative, të vlerësuara në rreth 40 mijë euro në vit, do të mbulohen nga Komuna e Podujevës. Shpenzimet e tjera, sipas tij, do të mbulohen nga fondacioni.

Kurti njoftoi gjithashtu se është planifikuar hapja e një qendre të ngjashme edhe në Prizren.

Kurti bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë planifikohet të miratohet edhe konceptdokumenti për industrinë e mbrojtjes, i cili, sipas tij, do të krijojë qartësi ligjore për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button