Platforma X prezanton për herë të parë kontrollet prindërore për llogaritë e adoleshentëve

Platforma sociale amerikane X prezantoi të enjten për herë të parë kontrollet prindërore, duke u mundësuar prindërve dhe kujdestarëve të menaxhojnë përvojën onlajn të adoleshentëve të moshës 13 deri në 17 vjeç, duke mbrojtur njëkohësisht privatësinë e tyre, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate të kompanisë, funksioni i ri u mundëson prindërve të monitorojnë kohën që adoleshentët kanë kaluar në X gjatë shtatë ditëve të fundit, të vendosin kufizime ditore të kohës para ekranit dhe të kërkojnë miratim për ndjekësit e rinj.

Kërkesa për miratimin e ndjekësve të rinj i bën gjithashtu llogaritë e adoleshentëve private, bëri të ditur kompania.

Prindërit mund të kufizojnë rekomandimet dhe videot në rubrikën “For You” vetëm në llogaritë që adoleshentët e tyre ndjekin tashmë, të filtrojnë fjalë të caktuara, të kufizojnë përmbajtjet sensitive dhe të kontrollojnë se kush mund t’u dërgojë mesazhe private.

Kontrollet u mundësojnë gjithashtu prindërve të shohin me cilat llogari kanë komunikuar privatisht adoleshentët e tyre, por jo përmbajtjen e këtyre bisedave.

“Prindërit duan mjete praktike, ndërsa adoleshentët meritojnë hapësirë për t’u zhvilluar”, ka thënë Michael O’Herlihy, drejtuesi i sigurisë në X.

“Me kontrollet prindërore në X, familjet mund të vendosin kufizimet që u përshtaten, ndërsa adoleshentët vazhdojnë të kenë kontrollin mbi llogaritë e tyre dhe mund të shohin çdo ndryshim”, ka shtuar ai.

Kompania tha se mbikëqyrja mund të fillojë vetëm pasi të dyja palët, prindi dhe adoleshenti, të japin pëlqimin.

Çdo prind ose kujdestar mund të mbikëqyrë deri në pesë llogari adoleshentësh, ndërsa një adoleshent mund të lidhet vetëm me një të rritur në të njëjtën kohë.

Prindërit nuk mund të lexojnë mesazhet private, të kenë qasje në historikun e kërkimeve apo të përmbajtjeve të shikuara, të publikojnë postime në emër të fëmijëve të tyre ose të hyjnë në llogaritë e tyre.

Mbikëqyrja përfundon automatikisht kur adoleshenti mbush 18 vjeç, ndërsa të gjitha ndryshimet e bëra përmes kontrolleve prindërore mbeten të dukshme për adoleshentin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button