Kjo që po ndodh në Gaza quhet “gjenocid”

Kur e shohim atë që ndodh në Gaza, ku janë vrarë rreth 20 mijë fëmijë dhe, në përgjithësi, më shumë se 50 mijë civilë, pastaj i dëgjojmë deklaratat e zyrtarëve izraelitë për “Amelikët”, nuk e kemi vështirë që këtë vepër – sipas definicionit të OKB-së – ta kualifikojmë si gjenocid.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Derisa bota merrej me gjykimin e luftës në Ukrainë dhe bënte thirrje për paqe, më 7 tetor 2023 do të sfidohej nga një ngjarje e re. Hamasi palestinez do t’i sulmojë disa qytete izraelite, me ç’rast do të lë të vdekur mbi 1200 civilë izraelitë dhe diku 250 të tjerë t’i marrë peng (sipas mediave perëndimore). Duke u nisur nga standardi i gjithëpranuar se kjo është vepër terrori, gati gjithë bota perëndimore, përfshi edhe atë shqiptare, e dënoi këtë akt, duke u solidarizuar me viktimat.
Në anën tjetër, pas këtij sulmi, Shteti i Izraelit iu përgjigj këtij sulmi me kundërsulm në Rripine e Gazës, duke lënë të vrarë (sipas mediave perëndimore) rreth 60.000 civilë, prej të cilëve së paku një e treta janë fëmijë, ndërsa mes tyre ka mbi 200 gazetarë, punonjës shëndetësorë dhe humanitarë, prijës fetarë, e të mos flasim për dëmtime të pronave dhe, përgjithësisht, të jetës, duke e kthyer Gazën thjesht në rrënojë e gërmadhë. Këto janë shifra të vrasjeve masive që nuk janë regjistruar askund pas Luftës së Dytë Botërore për një kohë 18-mujore. Megjithatë, gjykimi për sulmin izraelit në Gaza, përfshi edhe shqiptarët, ndryshon shumë nga ai ndaj Hamasit.

Rezistencë apo terror?

Sado që Hamasi për botën euro-amerikane është në listën e organizatave terroriste, kjo nuk është e tillë edhe për palestinezët, mbase edhe për shumë të tjerë në botë, të cilët nën emrin e Hamasit e lexojnë rezistencën palestineze për liri. Dhe, përkundër asaj se askush, pra as unë, nuk e arsyetoj vrasjen e viktimave dhe pengmarrjen e tyre për qëllime politike, qoftë kjo e gjykuar me konventa ndërkombëtare të luftës, por edhe me traditën religjioze islame që ndalon veprime të tilla makabre, kjo nuk na jep të drejtë të themi se palestinezët duhet ta pranojnë pushtimin izraelit, të nënshtrohen dhe ta pranojnë atë që ka bërë Izraeli mbi ato toka që nga viti 1948-të e këndej. Sepse, po të jemi kundër rezistencës palestineze për liri dhe shtet palestinez, kjo i bie se – për analogji – as shqiptarët nuk do të duhej të bënin rezistencë kundër Serbisë për çlirim të Kosovës.
Ne mund t’i gjykojmë mjetet e palestinezëve, por jo edhe synimin e tyre. Prof. Ferid Muhiqi e shpjegonte njëherë këtë, në një tribunë, përmes shembullit të një ujku që e ke plagosur dhe kur afrohesh ta kapësh për fyti, ai të kafshon. “Çfarë mund të presësh nga një ujk të cilin e ke plagosur për vdekje, pos kafshimit? Ajo është mënyra e fundit e ujkut për t’u hakmarrë për atë që ia ke bërë dhe, mbase, për të shpëtuar.”, e shpjegonte prof. Muhiqi rezistencën palestineze që nga gjuajtja me gurë e fëmijëve e deri te rezistenca e armatosur.
Sidoqoftë, duke e afirmuar të drejtën e secilit njeri për jetë, pavarësisht interpretimeve të këtilla, vrasja e civilëve dhe pengmarrja e tyre – qoftë edhe në emër të rezistencës për liri – është e papranueshme dhe paraqet vepër terrori. Njësoj siç është vepër terrori vrasja e fëmijëve dhe, përgjithësisht, civilëve, duke synuar forcat e armatosura të Hamasit.

Doktrina fetare – judaizmi

Ndonëse herë pas here më kishte rënë të lexoja libra ose tekste mbi judaizmin si religjion, por ato kanë qenë rëndom të autorëve myslimanë, andaj ia merrja vetes për të madhe që përshtypjen për judaizmin nuk e kisha krijuar nga burimet teologjike hebraike. Kjo më shtyri të kërkoj literaturë burimore për këtë temë dhe vitin e kaluar, në panairin e Prishtinës, e mora librin Judaizmi themelor të autorit Milton Steinberg. Duke qenë autori një teolog i judaizmit, për mua ishte burim relevant për ta njohur religjionin hebraik nga burimi. Dhe, më gëzoi kur në fillim të veprës ai shkruan: “Atë që të lëndon ty, mos ia bëj fqinjit tënd. Kjo është e gjithë doktrina. Pjesa tjetër është koment.” (Steinberg, 2023: f. 20). Më tej po nga ky autor lexojmë: “Prandaj, ligji hebre përcakton se një njeri preferon më mirë të vdesë, sesa të kryejë vrasje.” (Steinberg, 2023: f. 80). Ose, edhe më bukur: “Së bashku me faktin se secili prej nesh është një përthyerje e izoluar e hyjnores, të gjithë ne jemi manifestime përkatëse të Tij. Të ndarë nga veçantia jonë, ne jemi ende të lidhur së bashku nga një prejardhje e lartë e përbashkët. Sado të thella të jenë dallimet tona, uniteti shkon më thellë; sado të ashpra të jenë konfliktet tona, lidhja jonë është akoma më e fortë. Sepse ne jemi vëllezër në Zot.” (Steinberg, 2023: f. 80).
Megjithatë, krejt këto përshkrime e këshilla kaq të bukura e të përshpirtshme bëhen të qarta në pjesën ku autori flet për “popullin e zgjedhur”, pra për “popullin e Izraelit”. Për të vetëm populli izraelit e ka pranuar besëlidhjen ose paktin me Zotin dhe prandaj ai është i zgjedhur: “Zgjedhja është doktrina që Zoti përzgjodhi Izraelin, nga të gjithë kombet e botës, për të qenë marrësi i rivelacionit të Tij, figura qendrore në dramën e shpëtimit njerëzor.”, për të shtruar më poshtë pyetjen retorike se “Pse ky popull në veçanti?” e për t’u përgjigjur se “Pjesërisht për shkak të meritave të etërve të parë, drejtësia e të cilëve ishte aq e madhe sa të fitonte këtë vokacion të lartë për pasardhësit e tyre.” (Steinberg, 2023: f. 93).
Kjo i bie se “tjetri” dhe “fqinji” nuk e kanë vlerën e njëjtë përballë “popullit të zgjedhur” dhe kjo bëhet edhe më e qartë më poshtë në këtë vepër. Autori i saj, duke këmbëngulur në të drejtën e “popullit të zgjedhur”, e shpjegon edhe arsyen e së drejtës religjioze izraelite në Jerusalem: “Shumë tradicionalistë besojnë se rindërtimi i Izraelit në tokën stërgjyshore është një parakusht për Epokën Mesianike. Kur hebrenjtë e shpërndarë nëpër botë të jenë sjellë në shtëpi nga Mesia, Tora do të dalë nga Sioni, fjala e Zotit nga Jerusalemi, shpatat do të bëhen plugje dhe shtizat grepa për krasitje.” (Steinberg, 2023: f. 99). Kjo do të thotë se vendosja e popullit hebre në pellgun e Jerusalemit nuk është një dëshirë, por është një detyrim religjioz dhe kjo duhet të ndodhë për shkak të urdhrit hyjnor.
Për hir të së vërtetës, duhet ta themi se ky urdhër religjioz është shndërruar në orientim politik, në doktrinën e njohur me emrin sionizëm (Sion është emri biblik për Jerusalemin), e cila lindi në fund të shek. XIX dhe kishte për qëllim krijimin e shtetit kombëtar për hebrenjtë në tokën e Izraelit (që në histori është e njohur si toka e Kanaanit ose Palestina). Ideologu dhe themeluesi i sionizmit është Theodor Herzl, një gazetar dhe shkrimtar hebre nga Austro-Hungaria, i cili në vitin 1896 e botoi librin “Shteti hebraik” (Der Judenstaat), ku argumentonte se antisemitizmi nuk mund të zgjidhej pa një shtet të pavarur hebre.

“Godit Amalekun dhe cakto shfarosjen!”

E se kjo nuk është ekzegjezë e imja, porse është doktrina bazë e sionizmit, përveç asaj që ndodh tashmë një shekull në atë tokë, këtë e ilustrojnë edhe tekstet e Dhiatës së Vjetër (Tanakh në traditën hebraike).
Duke e konsideruar vetëm popullin hebre të zgjedhur, armiqtë e tyre janë “Amalekët”, të cilët si padenjë duhet të luftohen deri në zhbërje: “Pastaj i Samuelit / Samueli i tha Saulit: “Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti. Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë”. (Samueli 15 – 1-3).
Që të mos duket konstruksion, më duhet ta citoj ministrin e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili në prill 2024 – duke iu referuar betejës me Hamasin (që në fakt doli të jetë betejë për zhdukjen e palestinezëve) – bëri thirrje për “shkatërrimin total” të qyteteve dhe kampeve të refugjatëve në Gaza, duke cituar Biblën: “Do të fshini kujtimin e Amalekut.” (https://s2jnews.com/yet-another-israeli-minister-calls-for-the-total-annihilation-of-gaza/?utm_source=chatgpt.com; prill 2025)
Armikut “Amalek” iu ka referuar edhe vetë kryeministri Benjamin Netanjahu, i cili – pas sulmit të Hamasit në tetor 2023 – deklaroi: “Duhet të kujtosh atë që të bëri Amaleku.” (The Times of Israel; prill 2025)
Për “Amalekun” biblik ka folur edhe Aryeh King – nënkryetari i Bashkisë së Jerusalemit, i cili në dhjetor 2023 bëri komente në rrjetin social “Instagram”, duke përmendur nevojën “për të fshirë kujtimin e Amalekut”.
Nga hulumtimi që kemi bërë, del se Amalekët (ose Amalekitët) janë një popull i lashtë i përmendur disa herë në Bibël, veçanërisht në Dhiatën e Vjetër. Ata konsideroheshin armiq të izraelitëve dhe simbol i armiqësisë ndaj “popullit të Zotit”. Sipas Biblës, Amaleku ishte nipi i Esaut (vëllai i Jakobit) dhe pasardhësit e tij u quajtën Amalikë. Referenca e kësaj gjendet te “Zanafilla 36:12”. Në kuptimin simbolik, “Amalikët” janë e keqja hebraike, armiqtë e hebrenjve, një popull që përfaqësonte urrejtjen e verbër dhe destruktive ndaj Izraelit. Në literaturën rabinike, “Amalek” është përdorur si metaforë për çdo kërcënim të përhershëm ndaj popullit hebre.
Dhe, krejt këtë do ta konsideronim rastësi nëse ajo që ndodh në Gaza sot nuk është tekstualisht ajo që jepet si urdhër në Bibël për Amalekun: “Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë”. Nëse për kryeministrin izarelit “Amaleku” është palestinezi, sepse atë ai e ka deklaruar vetë publikisht, ajo që po ndodh sot në Gaza është përmbushje e këtij urdhri biblik.
E kur këtë e vështrojmë kundrejt porosisë judaike për dashurinë për fqinjin, të përmendur në krye të këtij shkrimi, i bie se “fqinji” hebraik nuk është më palestinezi, porse ai është një “Amalek”, që duhet zhdukur me gjithçka që ka, përfshi këtu edhe foshnjat e gjirit
Dhe, krejt kjo po ndodh në kohën që në botë akoma ekziston një rend botëror me disa konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në të cilën, së paku deklarativisht, ndalohet vrasja e fëmijëve dhe, përgjithësisht, e secilit njeri për çfarëdo arsye religjioze. Megjithatë, Izraelit po i lejohet. Shprehur me gjuhën e Orwell-it, kjo do të thotë se “të gjithë njerëzit janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”. Bota po e legjitimon te drejtën e “popullit të zgjedhur” për t’i shfarosur “Amalekët”.

Myslimanët dhe hebrenjtë

Përveç betejës për “Tokën e Premtuar”, kontesti izraelito-palestinez sot zhvillohet edhe në fushën e përplasjes mes identiteteve të tyre fetare. Megjithatë, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Myslimanët në të kaluarën kanë pasur respekt të veçantë për hebrenjtë. Qysh në kohën e profetit Muhamed ata përbënin “ithtarët e Librit” dhe qytet-shteti i Medines ishte praktikisht një kontratë sociale mes myslimanëve, hebrenjve dhe paganëve për të jetuar në paqe e për të bashkëjetuar në qytetin e njëjtë.
Kjo traditë ka qenë leksion për gjithë kulturën islame se si duhet të sillet myslimani me hebreun. Tregohet se Profeti Muhamed e kishte një fqinj hebre, me të cilin kishin relacione të mira fqinjësore. Madje, thuhet se para vdekjes ai kishte huazuar ushqim prej fqinjit hebre dhe në këmbim të borxhit ia kishte lënë parzmoren e luftës. Kjo ngjarje ka shërbyer si mësim se myslimanët e hebrenjtë duhet të jetojnë si fqinj të mirë dhe vëllezër të besimit të stërgjyshit të tyre të lashtë, Ibrahimit/Abrahamit, prej bijve të të cilit vijnë hebrenjtë (nga Is’haku) dhe arabët (nga Ismaili).
Më vonë, do të jetë vetë sulltani osman, Sulejmani i Madhërishëm, ai i cili – pas pushtimit të Jerusalemit – do të kujdeset për zbulimin dhe pastrimin e Murit të Vajtimit (që deri atëherë përdorej si deponi mbeturinash nga të krishterët), ku hebrenjtë do të fillojnë t’i kryejnë ritet e tyre tyre religjioze, deri atëherë të ndaluara pikërisht nga të krishterët.
Nga historia e dimë se edhe kur inkuizicioni kristian i dëboi hebrenjtë nga Spanja (në fund të shek. XV), ata gjetën strehim në Perandorinë Osmane të themeluar nga myslimanët, duke ardhur aty deri në 250 mijë hebrenj, që për atë kohë ka qenë një numër jashtëzakonisht i madh, (Sarëkçëogllu, 2012, 433), ndërsa një pjesë e tyre u vendosën edhe në trojet e sotme shqiptare.

Shqiptarët dhe hebrenjtë

Kur kontestin izraelito-palestinez e shohim në këndvështrimin shqiptar, është për t’u vënë re se ne, shqiptarët, që në Luftën e Dytë Botërore ishim në anën e hebrenjve kundrejt nazistëve, edhe pse tokat shqiptare ishin të pushtuara nga Italia, respektivisht nga Gjermania fashiste, sot – kur shteti hebraik është në rolin e agresorit – ne nuk jemi më në anën e viktimës, por për përfitime politike ose nga ndonjë frikë diplomatike, heshtim ose publikisht e arsyetojmë atë që e bën Izraeli në Gaza.
Historiani shqiptar Edmond Malaj ka bërë një libër të rëndësishëm (Hebrenjtë në trojet shqiptare, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2012), në të cilin ka sjellë dhjetëra dokumente e argumente se si shqiptarët janë kujdesur për shpëtimin e hebrenjve. Dhe, derisa e lexon këtë vepër, nuk mund të mos mburresh me paraardhësit tanë, të cilët e kanë rrezikuar jetën e tyre për t’i shpëtuar hebrenjtë e përndjekur nga nazistët. Ne i takojmë një kombi, që është i vetmi në botë, në shtetin e të cilit para Luftës kishte diku 200 hebrenj, ndërsa pas LDB-së kishte dhjetë fish më shumë (Malaj, 2012, f. 187 dhe f. 261).
Megjithatë, sot drejtuesit e shteteve shqiptare, por edhe opinioni i përgjithshëm – në emër të gjykimit të terrorit të Hamasit – heziton ta gjykojë atë që po bën Izraeli në Gaza, shpesh bën të shurdhëtin, ndërsa ka edhe shembuj si kryeministri shqiptar, që edhe në kulmin e vrasjes së fëmijëve në Gaza, shkon në Izrael dhe thur elozhe për këtë shtet, duke marrë mirënjohje për kontributin e shqiptarëve për hebrenjtë gjatë LDB-së, pa guxuar ta përmendë atë që sot ndodh në Gaza ndaj palestinezëve, që për shumëçka ngjason me atë u ndodhi hebrenjve gjatë LDB-së prej Gjermanisë naziste.

Gaza është sinonim i gjenocidit

Për nga definicioni, gjenocidi është një krim i rëndë ndërkombëtar që nënkupton shkatërrimin e qëllimshëm, të plotë ose të pjesshëm, të një grupi të caktuar njerëzish për shkak të përkatësisë së tyre etnike, kombëtare, racore apo fetare. Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (e miratuar nga OKB-ja më 1948), një akt konsiderohet gjenocid nëse përfshin ndonjë nga këto veprime: 1. Vrasja e anëtarëve të një grupi tjetër; 2. Shkaktimi i dëmtimeve serioze fizike apo mendore; 3. Vendosja e qëllimshme e kushteve që synojnë shkatërrimin fizik të grupit; 4. Ndërmarrja e masave për të parandaluar lindjet brenda grupit dhe 5. Transferimi me forcë i fëmijëve nga një grup në një tjetër.
Kur e shohim atë që ndodh në Gaza, ku janë vrarë rreth 16-17 mijë fëmijë dhe, në përgjithësi, më shumë se 50 mijë civilë, pastaj i dëgjojmë deklaratat e zyrtarëve izraelitë për “Amelikët”, nuk e kemi vështirë që këtë vepër – sipas definicionit të lartpërmendur të OKB-së – ta kualifikojmë si gjenocid.
Nëse është puna për kundërargumente, siç pretendon Izraeli ta justifikojë këtë gjenocid me luftën ndaj Hamasit, atëherë edhe Hitleri e kishte “argumentin” se po e mbronte racën ariane nga “çifutët fajdexhinj” dhe “prishësit e moralit”. Por, ne dhe gjithë bota e quajmë veprën e tij gjenocid, madje me emrin e përveçëm “Holokaust” (nga greqishtja: djegie e plotë – nënkupton gjenocidin sistematik të hebrenjve gjatë LDB-së). Pastaj edhe Millosheviqi, Mlladiqi e Karaxhiqi e kishin argumentin se po i luftonin boshnjakët e armatosur dhe po e mbronin Europën nga Islami, por vrasja e 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë tashmë pranuar si gjenocid. E çfarë e dallon Gazën nga Holokausti dhe nga Srebrenica, pos emrit të autorit të saj, i cili sot gëzon fuqi dhe aleanca në botë?
Prandaj, opinioni shqiptar duhet të gjejë guximin dhe kurajon intelektuale dhe njerëzore që, ashtu siç ka qenë me viktimat në Luftën e Dytë Botërore, duke e rrezikuar edhe veten e tyre, edhe kësaj radhe të jetë me viktimën dhe jo me agresorin.
Mund ta gjykojmë gjithë ditën Hamasin si organizatë, mund të japim argumente politike, diplomatike e ekonomike se veprimi terrorist i Hamasit i ka dëmtuar më së shumti palestinezët, por për një gjë duhet të biem dakord dhe të kemi guxim të themi – ajo që sot ndodh në Gaza e ka emrin gjenocid dhe autor i saj është Shteti i Izraelit.

Burimet:

Milton Steinberg, Judaizmi themelor, ALPHABET J&H, Prishtinë, 2023
Edmond Malaj, Hebrenjtë në trojet shqiptare, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2012
Ekrem Sarëkçëogllu, Historia e feve, Logos-A, Shkup, 2012

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button