Media izraelite: Pozicioni i Izraelit në SHBA po dobësohet më thellë nga sa duket

Pozicioni i Izraelit në SHBA është zbehur më thellë sesa duket, pasi ndryshimi themelor aktual nuk kufizohet vetëm te politikanët, por pasqyron edhe një ndryshim më të thellë shoqëror dhe kulturor, raportoi të mërkurën faqja izraelite e lajmeve “Walla”, transmeton Anadolu.
Media në gjuhën hebraike tha se: “Pozicioni i Izraelit në SHBA është dëmtuar më thellë sesa duket dhe ky transformim filloi kryesisht pas luftës izraelite në Rripin e Gazës”.
Izraeli është përballur me kritika të ashpra publike dhe zyrtare në të gjithë botën për luftën gjenocidale që nisi në Gaza me mbështetjen e SHBA-së më 8 tetor 2023.
Lufta ka vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 172 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë ndërsa ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile.
Ndryshim themelor
“Për dekada të tëra, marrëdhënia midis SHBA-së dhe Izraelit u konsiderua si një nga shtyllat më të qëndrueshme të politikës së jashtme amerikane”, sipas faqes.
“Por, në javët e fundit, mes zhvillimeve rajonale dhe deklaratave të papara nga zyrtarë të lartë amerikanë, ka filluar të shfaqet një mesazh shqetësues: ka ndodhur një ndryshim themelor”, shton ajo.
“Walla” raportoi se të dhënat ofrojnë prova të qarta të këtij ndryshimi, duke vënë në dukje se rreth 60 për qind e amerikanëve tani shprehin pikëpamje negative për Izraelin.
Midis amerikanëve të moshës 18 deri në 29-vjeç, rreth 75 për qind tregojnë simpati më të madhe për palestinezët sesa për Izraelin, sipas faqes.
“Këto janë shifra që nuk i kemi parë më parë”, tha ajo duke vënë në dukje se prej kohësh kishte pasur një konsensus të gjerë politik amerikan në favor të Izraelit, përfshirë edhe midis disa të anketuarve hebrenj.
Sipas lajmit, ndryshimi është bërë politikisht i dukshëm edhe në Senatin e SHBA-së gjatë diskutimeve mbi një marrëveshje armësh me Izraelin. “Në fund, marrëveshja kaloi por debati zbuloi një ndryshim themelor, pasi 40 nga 47 senatorë demokratë votuan kundër saj”, shtoi ajo.
“Vetëm pak vite më parë, një qëndrim i tillë do të kishte qenë vetëvrasje politike për një senator, por sot është bërë e zakonshme”, tha faqja.
Aty citohej senatori Bernie Sanders të thoshte: “Kur filluam këtë përpjekje, kishte vetëm 11 vota. Tani, janë 40”.
Ndryshim social dhe kulturor
Me fjalë të tjera, tha lajmi, ndryshimi në SHBA “nuk kufizohet vetëm te politikanët, por pasqyron një transformim më të thellë social dhe kulturor”.
Aty shtohej se ky ndryshim është i dukshëm edhe në të gjithë peizazhin më të gjerë politik, ku kandidatët potencialë presidencialë për vitin 2028 nga të dy partitë kryesore nuk e shohin më mbështetjen e pakushtëzuar për Izraelin si një avantazh të qartë politik.
“Përkundrazi, në disa raste, ekziston diçka si konkurrenca se kush mund të distancohet më shumë nga Izraeli”, tha ai. Aty citohej ish-kryebashkiaku i Çikagos, Rahm Emanuel si një shembull i spikatur i këtij ndryshimi.
Sajti theksoi se Emanueli tha së fundmi se do të merrte në konsideratë uljen e ndihmës vjetore të sigurisë amerikane për Izraelin, e vlerësuar në 3.8 miliardë dollarë dhe ndoshta vendosjen e kufizimeve në rast të shkeljeve.
“Këto ide, të cilat dikur ishin jashtë kufijve të debatit legjitim, tani po dëgjohen brenda thelbit të rrjedhës kryesore demokratike”, tha ai.



