Izraeli do të blejë municione ajrore në vlerë mbi 200 milionë dollarë

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se lëshoi porosi shumëvjeçare për municione ajrore me vlerë më shumë se 200 milionë dollarë nga Elbit Systems, si pjesë e përgatitjeve për atë që e përshkroi si një “dekadë intensive sigurie”, transmeton Anadolu.
Ministria tha në një deklaratë se Drejtoria e saj e Prokurimit të Mbrojtjes vendosi porosi me vlerë mbi 600 milionë shekel (rreth 200 milionë dollarë) për municione të prodhuara nga Elbit Systems.
Marrëveshja synon “të forcojë gatishmërinë për skenarë luftimesh afatshkurtër” dhe të përgatitet për “një dekadë intensive sigurie”, tha ministria. Ajo shtoi se prodhimi do të zhvillohej në objektet e Elbit Systems në të gjithë Izraelin.
“Ne vazhdojmë të forcojmë pavarësinë e armatimit të Izraelit”, tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz për marrëveshjen.
“IDF (ushtria) duhet të ketë mjetet në çdo kohë për të vepruar me forcë, shpejtësi dhe pa varësi nga palët e jashtme”, tha ai. Izraeli është përfshirë në luftëra shumëfrontale në Gaza, Liban, Iran dhe Siri që nga tetori i vitit 2023.
Tel Avivi aktualisht “po respekton” një armëpushim 10-ditor me Libanin, të shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar.
Trumpi të martën zgjati armëpushimin në luftën SHBA-Izrael me Iranin, mes përpjekjeve për të mbajtur raund të dytë negociatash midis Washingtonit dhe Teheranit për të zgjidhur konfliktin e tyre.



