Janevska: Janë mbyllur 18 institute, pas tyre priten masa edhe ndaj disa fakulteteve dhe universiteteve private

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se deri më tani janë mbyllur 18 institute që nuk i kanë përmbushur kushtet ligjore për funksionim, ndërsa paralajmëroi se, pas vlerësimeve që po zhvillohen, mund të pasojnë masa edhe ndaj disa fakulteteve dhe universiteteve private njofton INA.

Gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Za ili Protiv” në televizionin Alfa, Janevska tha se fillimisht ishte raportuar për mbylljen e 14 instituteve, por se numri tashmë ka arritur në 18.

Ajo theksoi se gjatë kontrolleve janë konstatuar raste të pazakonta, përfshirë edhe një institut të regjistruar në një lokal të kazinosë, ndërsa institute të tjera kanë qenë të regjistruara në banesa apo dyqane.

“Instituti, për të funksionuar, duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara me ligj dhe mbi të gjitha duhet të zhvillojë veprimtari kërkimore-shkencore. Ai mund të ketë edhe veprimtari aplikative, por funksioni kryesor duhet të jetë prodhimi i punës shkencore dhe kërkimore. Kjo, për fat të keq, nuk ka ndodhur”, deklaroi Janevska.

Sipas saj, në përmirësimin e gjendjes po kontribuon edhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë, e cila, pas emërimit të drejtoreshës së re Hristina Serafimovska, ka nisur procesin e vlerësimeve të institucioneve të arsimit të lartë.

Janevska tha se për vite me radhë nuk ishte kryer asnjë vlerësim i instituteve, fakulteteve apo universiteteve, ndonëse kjo ishte detyrim ligjor. Ajo shtoi se tashmë janë realizuar një numër i madh vlerësimesh me pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj, për të garantuar objektivitet dhe paanshmëri.

“Në vijim të afateve ligjore do të ketë mbyllje edhe të disa fakulteteve dhe universiteteve private”, paralajmëroi ministrja.

Ajo theksoi gjithashtu se me ligjin e ri janë kufizuar studimet private në fusha me interes të lartë publik, si drejtësia, mjekësia dhe programe të tjera të ngjashme, me qëllim garantimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe përgatitjen e kuadrove profesionale nga të cilat varet funksionimi i shtetit.

Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka zhvilluar kontrolle edhe në disa fakultete shtetërore. Sipas Janevskës, aty ku janë konstatuar parregullsi, institucionet kanë marrë procesverbale dhe janë obliguar t’i korrigjojnë mangësitë në përputhje me ligjin.

Ministrja vlerësoi se procesi i reformimit është i ngadalshëm, por po zhvillohet në drejtimin e duhur. Sipas saj, tashmë ekziston vetëdijesim se do të ketë kontroll më të rreptë dhe se universitetet duhet të funksionojnë në përputhje me ligjin.

“Është e rëndësishme që sistemi po ecën përpara. Studentët dhe universitetet e kanë kuptuar se ligji duhet të respektohet. Presim që institucionet që do të vazhdojnë të funksionojnë të harmonizohen me kërkesat ligjore dhe të fillojnë të nxjerrin kuadro me cilësi më të lartë”, u shpreh Janevska.

Ajo shtoi se cilësia e një pjese të të diplomuarve në Maqedoninë e Veriut ka qenë objekt kritikash edhe nga shtete fqinje dhe shprehu besimin se zbatimi i ligjeve të reja do të ndikojë në përmirësimin e standardeve në arsimin e lartë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button