Izet Mexhiti pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Votat nuk janë pronë e askujt, mjaft më folklorizëm paszgjedhor

Izet Mexhiti pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Votat nuk janë pronë e askujt, folklori paszgjedhor duhet të marrë fund
Pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe zgjedhjes së kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka përcjellë një mesazh të qartë politik përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai u ka bërë thirrje aktorëve politikë që t’i japin fund retorikës polarizuese dhe të kthehen te përgjegjësitë ndaj qytetarëve, duke theksuar se në demokracitë multietnike nuk ka vend për ndarje mes “ne” dhe “ata”.
Ja postimi i plotë:
“Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona.
Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim.
Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë.
Prandaj, nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm postzgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta.”



