Intervista si mjeti mediatik i Ibrahim Rugovës për shprehjen e qëndrimeve politike

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren
Intervistat janë një mjet i fuqishëm për shprehjen e qëndrimeve politike në media, pasi ato u lejojnë individëve, veçanërisht politikanëve, të paraqesin perspektivat e tyre drejtpërdrejt para publikut. Përmes intervistave, figurat politike mund të diskutojnë mendimet e tyre mbi çështje të rëndësishme, të japin kontekst për veprimet e tyre dhe të sqarojnë qëndrimet e tyre mbi çështjet politike. Mediat, shpesh, i përdorin intervistat për të krijuar një platformë ku politikanët mund të flasin drejtpërdrejt me audiencën, duke formësuar perceptimin publik dhe duke ndikuar në diskursin politik.
Intervista, zhanri gazetaresk i preferuar i Rugovës
Trashëgimia politike dhe intelektuale e Ibrahim Rugovës vijohet të ndriçohet nga botimet e fundit që hedhin dritë mbi mendimin e tij bazuar në përmbajtjet e publikuara në media. Tri libra të botuara nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”, të përgatitura nga Munish Hyseni, përmbledhin intervistat më të rëndësishme të tij, duke na ofruar një pasqyrë të qartë të filozofisë dhe vizionit të tij për Kosovën.
Libri i parë, “Kështu foli Rugova” (2019), e mbulon periudhën 1990–2005 dhe na prezanton me platformën për pavarësinë e Kosovës dhe qasjen e tij paqësore për zgjidhjen e konflikteve. Ky vëllim përmbledh deklaratat dhe vizionin e Rugovës në momentet kyçe historike, duke na kujtuar përkushtimin e tij për çështjen kombëtare.
“Ibrahim Rugova: Çështja Kombëtare” (2020) trajton më thellë politikën kombëtare shqiptare në rajon, duke theksuar strategjinë pragmatike të Rugovës për krijimin e një identiteti të fortë kombëtar dhe integrimin në politikën globale. Ky botim ofron një reflektim mbi mënyrën se si Rugova e konceptonte unitetin kombëtar në sfondin e tensioneve rajonale.
Ndërkaq, libri i tretë, “Pushteti dhe intelektualët” (2024), ndriçon ndikimin e Rugovës në kulturë dhe letërsi përpara viteve ‘90. Kjo vepër e vë në pah se si ai, si një intelektual i formuar, ndikoi në ndërthurjen e kulturës dhe politikës për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.
Një burim kyç për biografinë politike të Rugovës është libri “Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon 1989–2006”, përzgjedhur dhe përkthyer nga Enver Robelli. Ky botim sjell një koleksion të pasur intervistash, deklaratash dhe reportazhesh që dokumentojnë perceptimet dhe ndikimin e Rugovës në arenën ndërkombëtare.
Për më tej, libri “Presidenti Rugova në shtypin italian dhe gjerman”, i përgatitur nga Bejtullah Destani, thekson raportimin e mediave italiane, si La Repubblica dhe La Stampa, si dhe shtypin gjerman, përfshi edhe intervistën e vitit 2000 në “Spiegel”,[1] duke dokumentuar se si ai përfaqësohej në media gjatë periudhave të ndryshme politike.
Një pasqyrë mediatike mbi figurën e Rugovës jepet në përmbledhjen në pesë vëllime “Shtypi për Rugovën”, përgatitur nga Mehmet Rukiqi.
Këto botime nuk janë thjesht libra historikë, por edhe guida për ta kuptuar më thellë mendimin politik të një prej figurave më të shquara të historisë bashkëkohore shqiptare.
Sipas Ibrahim Berishës, ish-drejtues i Qendrës Informative të Kosovës, zhanri i intervistës ishte zhanri i preferuar i Ibrahim Rugovës, pasi ai e shfrytëzonte atë për të shprehur mendimet dhe qëndrimet e tij politike, duke qenë gjithmonë i hapur ndaj gazetarëve, veçanërisht atyre të huaj. Ai thekson faktin se Ibrahim Rugova ishte gjithmonë i hapur dhe bashkëpunues me mediat, sidomos ato ndërkombëtare, duke mos refuzuar asnjë gazetar për intervistë. Sipas Berishës, Rugova kishte preferencë për intervistat e drejtpërdrejta dhe nuk ka dhënë asnjëherë intervista me shkrim, si dhe nuk ka pranuar të flasë për mediat serbe, me përjashtim të një interviste për gazetën “Borba” që ishte jashtë kontekstit politik.[2]
Munish Hyseni thekson faktin se intervistat, si zhanër i gazetarisë, i kanë dhënë Ibrahim Rugovës mundësinë për të artikuluar mendimet dhe veprimet e tij, si dhe për të shpjeguar platformën e pavarësisë së Kosovës dhe çështjen shqiptare përtej takimeve partiake dhe konferencave për shtyp. Këto intervista shërbenin si një formë komunikimi të drejtpërdrejtë me popullin, veçanërisht shqiptarët e Kosovës, gjatë viteve të ’90-ta e më pas, duke e pozicionuar Rugovën si një figurë që mbante lidhje të vazhdueshme me qytetarët.[3]
Në diskursin politik të Rugovës vërehet një këmbëngulje e vazhdueshme për çështje thelbësore, me përsëritje të mendimeve dhe deklaratave të tij, pavarësisht kritikave nga oponentët politikë. Hyseni thekson rëndësinë e leximit të intervistave dhe veprës së Rugovës sot, duke i cilësuar ato si shembuj të nevojshëm për një shoqëri që ka nevojë për modele njerëzore të urta dhe fisnike, të afta të sfidojnë urrejtjen dhe egoizmin e politikanëve të sotëm.
Publicisti Halil Matoshi thekson se Ibrahim Rugova, përmes intervistave të tij, shfaqej si një personalitet i gjithanshëm – letrar dhe kritik letrar, historian, dardanolog dhe etnolog, etnopsikolog dhe politikan i qetë.[4]
Përmes këtyre intervistave zbulohet më qartë personaliteti dhe roli i Ibrahim Rugovës në bashkimin e shqiptarëve të Kosovës. Këto intervista shërbejnë si dëshmi për të kuptuar më mirë idetë, mendimet dhe veprimet e tij, të cilat ishin të qëndrueshme dhe të mirëartikuluara si në organizimin e brendshëm të Kosovës, ashtu edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës.
Intervista në “Der Spiegel” e vitit 1989
Në një intervistë historike për revistën “Der Spiegel” më 26 qershor 1989, Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, paralajmëroi për kthimin e nacionalizmit serb dhe shtypjen e identitetit shqiptar nën regjimin e Millosheviqit. Ai e cilësoi rikthimin e serbëve si hakmarrës dhe theksoi se nëse Serbia vazhdonte shtypjen, kryengritja e shqiptarëve do të ishte e pashmangshme, duke paralajmëruar për tragjedinë që mund t’i vinte edhe vetë popullit serb. Kjo intervistë shënoi Ibrahim Rugovën si një lider të guximshëm dhe vizionar në përpjekjet për pavarësinë e Kosovës.[5]
Në atë periudhë, Rugova u bë figura qendrore e udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës, duke adresuar me forcë dhe qartësi realitetin e shtypjes dhe të represionit serb. Vetëm disa muaj pas kësaj interviste, në dhjetor 1989, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke shënuar fillimin e një lëvizjeje paqësore për liri, pavarësi dhe demokraci. Rugova vazhdoi të luajë rol kyç në udhëheqjen e Kosovës, duke u zgjedhur disa herë president deri në vdekjen e tij në vitin 2006.
Enver Robelli, në një analizë të tij për gazetën “Koha Ditore”, ofron një përshkrim të rëndësishëm historik të intervistës së Ibrahim Rugovës për revistën gjermane “Der Spiegel” në vitin 1989,[6] duke e cilësuar atë si një moment kyç për afirmimin politik të Kosovës. Ai shpjegon se intervista erdhi në një kohë kur Serbia, nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit, e kishte suprimuar autonominë e Kosovës dhe vëmendja perëndimore ishte përqendruar te rritja e nacionalizmit serb. Rugova, në këtë intervistë, përshkruan me guxim shtypjen e shqiptarëve në Kosovë, manipulimin historik të serbëve për Betejën e Kosovës dhe paralajmëron për rrezikun e represionit që mund të nxiste kryengritje të popullit shqiptar.[7]
Sipas Robellit, në një kohë kur regjimi i Millosheviqit përgatitej për manifestimin në Gazimestan dhe kishte hequr autonominë e Kosovës me dhunë, intervista e Rugovës e konsolidoi atë si përfaqësuesin e ri politik përballë Perëndimit. Rugova, në këtë intervistë, tubimin në Gazimestan e përshkruan si një provokim të serbëve dhe e kritikoi përvetësimin e historisë, duke theksuar pjesëmarrjen e popujve të tjerë në Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ai paralajmëroi për përpjekjet e forcave serbe që të inskenojnë “aksione terroriste” për të justifikuar represionin dhe për të përfunduar mbështetjen ndërkombëtare për shqiptarët. Rugova gjithashtu kritikoi reduktimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe deklaroi se motoja e pushtetit serb ishte “Shqiptarët injorantë janë më pak të rrezikshëm”. Për Robellin, intervista ishte një akt i guximshëm dhe një denoncim i qartë ndaj hegjemonisë serbe.[8]
Robelli thekson se, përmes kësaj interviste, Rugova u prezantua si lideri kryesor politik dhe zëri i shqiptarëve të Kosovës për botën perëndimore. Rugova e trajtoi në mënyrë të argumentuar realitetin e ashpër në Kosovë dhe shprehu shqetësimet për manipulimet e mundshme serbe që synonin diskreditimin e shqiptarëve si terroristë. Intervista e “Der Spiegel”, sipas Robellit, i dha Rugovës një platformë të privilegjuar mediatike, duke e bërë atë një referencë kryesore për të gjitha zhvillimet në Kosovë para dhe pas luftës.
Edhe studiuesi Milazim Krasniqi, në librin me titull “Sekretet që nuk i mori me vete: Ibrahim Rugova”, i kushton një shkrim intervistës së bujshme të Ibrahim Rugovës, e realizuar në prill të vitit 1989 me gazetaren gjermane Renate Flotau për revistën Der Spiegel. Meqenëse kjo intervistë ndodhi në një periudhë të tensionuar politike, kur nacionalizmi serb po intensifikohej dhe shqiptarët në Kosovë po përballeshin me kërcënime, Krasniqi thekson guximin e gazetares gjermane Flotaut për të realizuar intervistën dhe rëndësinë që Rugova fitoi si figurë politike për shqiptarët në prag të viteve 90-të.[9]
Në tekst përmendet edhe një element misterioz: autorizimi për botimin e intervistës. Sipas Krasniqit, versioni i tekstit që u publikua në gjermanisht ndryshonte nga varianti që ishte përkthyer në serbisht, i cili mbante titullin provokues “Serbët po kthehen si hakmarrës”. Ky fakt shtoi polemikat, sidomos në një kohë kur tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve ishin në rritje dhe politika jugosllave përpiqej të mbulonte realitetin.
Autori përfundon duke reflektuar për rëndësinë historike të intervistës, ndërsa kujton detajet e kohës dhe takimin me gazetaren. Për Krasniqin, kjo intervistë përfaqëson një moment kyç në përpjekjet për të kuptuar zhvillimet politike të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa shfaqet edhe si një shembull i fuqisë së gazetarisë për të ndriçuar të vërtetat në kohë të vështira.[10]
Intervista për “Zërin e Amerikës” dhe fjalimi i Millosheviqit
Gjatë periudhës kur ishte drejtor i shërbimit shqip të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, realizoi dy intervista me ish-presidentin Ibrahim Rugova, përmes korrespondentit amerikan Joloyon Neagle. Intervista e parë u zhvillua në prill të vitit 1989, ndërsa e dyta u realizua më 9 qershor të po atij viti, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës dhe fjalimit të Sllobodan Millosheviqit. Në këtë intervistë, Rugova, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e quajti manifestimin e Millosheviqit provokacion politik dhe theksoi se Beteja e Kosovës ishte një ngjarje historike që përfshinte shqiptarët dhe popuj të tjerë, duke kundërshtuar mitin që e paraqet atë si ekskluzivisht serbe.[11]
Pas realizimit të intervistës, Biberaj përmend se ajo shkaktoi probleme me drejtuesit e Zërit të Amerikës, të cilët e konsideruan si shkelje të standardeve të mediumit për mosndërhyrje politike. Megjithatë, Biberaj këmbënguli se intervista nuk ishte thirrje për dhunë, por një reagim i thjeshtë ndaj ngjarjes. Pas insistimit të tij, intervista u transmetua një ditë më vonë. Rugova e kritikoi fjalimin e Millosheviqit, duke e quajtur atë një përpjekje për të avancuar agjendën politike serbe dhe përvetësimin e historisë së Kosovës, duke theksuar se Beteja e Kosovës ishte një ngjarje që përfshinte shumë kombësi dhe nuk mund të konsiderohej si një betejë serbe.
Biberaj shpjegon se ai kishte kërkuar një reagim nga pala shqiptare për fjalimin e Millosheviqit dhe pasi Rugova pranoi të jepte intervistën, ai u përball me një urdhër nga drejtori i Zërit të Amerikës që ta ndalonte transmetimin e saj. Biberaj e konsideroi këtë si shkelje të standardeve, pasi intervista ishte një reagim politik tërësisht pa dhunë. Rugova e shprehu kritikën e tij për manifestimin e Millosheviqit, duke e cilësuar si një akt politik të pamatur dhe një provokacion. Ai theksoi se, përveç serbëve, në Betejën e Kosovës kishin marrë pjesë edhe shqiptarët, hungarezët dhe boshnjakët, duke kundërshtuar përpjekjen për ta shfrytëzuar atë për qëllime politike të njëanshme.
[1] https://www.spiegel.de/politik/die-nato-ist-unsere-privatarmee-a-8b183369-0002-0001-0000-000018032392
[2] https://kallxo.com/shkurt/promovohet-libri-me-intervistat-e-ish-presidentit-ibrahim-rugova/
[3] Munish Hyseni: Kështu foli Rugova! https://alb-spirit.com/2019/01/20/munish-hyseni-keshtu-foli-rugova/
[4] Enver Robelli (2015). Veç pavarësi, asgjë më pak : Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006). Koha. Prishtinë.
[5] https://www.gazetaexpress.com/hamiti-publikon-nje-interviste-te-rugoves-per-der-spiegel-me-1989-vetem-mund-ti-paralajmeroj-serbet-edhe-ata-jane-popull-i-vogel/
[6] “Die Serben kommen als Rächer wieder”. https://www.spiegel.de/politik/die-serben-kommen-als-raecher-wieder-a-d7c34ed0-0002-0001-0000-000013495630
[7] Enver Robelli. Në 35-vjetorin e një interviste: Ibrahim Rugova në “Der Spiegel”, https://flasshqip.ca/bota-shqiptare/trashegimi/9840-ne-35-vjetorin-e-nje-interviste-ibrahim-rugova-ne-der-spiegel-nga-enver-robelli
[8] Enver Robelli (2015). Veç pavarësi, asgjë më pak : Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006). Koha. Prishtinë.
[9] Milazim Krasniqi (2023): Sekretet që nuk i mori me vete: Ibrahim Rugova. PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë.
[10] Po aty.
[11] https://kallxo.com/lajm/interviste-me-ish-drejtorin-e-zerit-te-amerikes-elez-biberaj/