Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë publikon listën preliminare: 12.230 viktima të luftës në Kosovë

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar listën preliminare të personave të vrarë, zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë, raporton Anadolu.
Në lansimin e kësaj liste mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës në Kosovë, ndërsa ka shtuar se raporti do të përditësohet me të dhënat e reja që do të pranojë Instituti.
“Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”, ka thënë Kurti.
Raporti i dokumenton se në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
Pjesa më e madhe e viktimave janë dokumentuar në periudhën mars-qershor 1999 periudhë gjatë së cilës u vranë 9.948 njerëz, që përbëjnë rreth 81.3 për qind të të gjitha viktimave të dokumentuara në këtë raport ku derisa numri i gjithmbarshëm i tyre është 12.230.
Instituti ka sqaruar se në këtë listë paraqiten vetëm tri kategori: personat e vrarë, personat e zhdukur me dhunë dhe personat e vdekur si pasojë e luftës dhe se përfshirja vetëm e këtyre tri kategorive nuk nënkupton se ato përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë, por kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të tjera të veçanta të dokumentimit.
Periudha kohore që trajtohet në këtë raport, ose në këtë listë, është periudha e luftës, 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999 dhe periudha e pas luftës, prej 21 qershorit 1999 deri në 31 dhjetor 2000.
Në listë janë të përfshirë ato viktima, që kanë lindur, kanë jetuar, ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës në kohën e luftës, kanë pësuar plagë vdekjeprurëse, ose janë zhdukur në territorin e Kosovës në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën, kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e plagëve të marra gjatë luftës, dhe bazuar në dokumentacionin e verifikuar, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë.



