Numri i shtetasve japonezë bie nën 120 milionë për herë të parë në mbi 4 dekada

Numri i shtetasve japonezë ka rënë nën 120 milionë për herë të parë në më shumë se katër dekada, treguan të dhënat qeveritare, duke nënvizuar sfidat në rritje demografike të vendit pavarësisht përpjekjeve për të rritur lindshmërinë, transmeton Anadolu.
Numri i shtetasve japonezë ishte 119.736.483 më 1 janar, duke shënuar një rënie prej 917 mijë personash krahasuar me një vit më parë, rënia më e madhe vjetore që nga fillimi i regjistrimeve të krahasueshme në vitin 1968, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komunikimeve.
Shifrat e raportuara nga Kyodo News, pasqyrojnë përballjen e vazhdueshme të Japonisë me një shoqëri që po plaket me shpejtësi dhe një normë të ulët të lindjeve.
Gjatë vitit, vendi regjistroi rreth 670 mijë lindje, numri më i ulët i regjistruar ndonjëherë ndërsa numri i vdekjeve arriti rreth 1,59 milion, duke thelluar rënien natyrore të popullsisë.
Popullsia totale e Japonisë, përfshirë banorët e huaj, ishte 123.767.642, një rënie prej rreth 563 mijë personash krahasuar me vitin e kaluar. Në të kundërt, numri i banorëve të huaj u rrit me 354 mijë, duke arritur rekord prej 4.031.159 personash. Qeveria nisi përpilimin e të dhënave përkatëse në vitin 2013.
Rritja vjen ndërsa Japonia po zgjeron gradualisht mundësitë për punëtorët e huaj për të përballuar mungesat kronike të fuqisë punëtore. Banorët në moshë pune përbënin 86,17 për qind të popullsisë së huaj.
Nga 47 prefekturat e Japonisë, Tokio ishte e vetmja që regjistroi rritje të popullsisë së shtetasve japonezë, me një rritje të lehtë prej 0,09 për qind.
Hokkaido shënoi rritjen më të madhe të banorëve të huaj me 14,89 për qind, e ndjekur nga Okinawa me 14,36 për qind dhe Oita me 13,90 për qind.
Në total, rritje të popullsisë u regjistrua vetëm në prefekturat Tokio, Chiba dhe Osaka.



