VLEN: Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim po e çon vendin drejt rrënimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

Skema e Ali Ahmetit është zbuluar. Atij nuk i bëhet vonë as për të drejtat e shqiptarëve, as për Marrëveshjen e Ohrit, e aq më pak për përfaqësimin e drejtë, të cilin, meqë ra fjala, pati plot 25 vjet kohë ta shndërronte në garanci ligjore.
Karrigexhinjtë e përjetshëm nga Reçica e vogël kanë vetëm një qëllim: të bllokojnë gjithçka që është në dobi të shqiptarëve dhe, me këtë politikë, t’i shkojnë për shtat të djathtës maqedonase, duke e zhvlerësuar politikën shqiptare.
Partia që për plot 25 vjet nuk lëvizi as gishtin për ta mbrojtur përfaqësimin e drejtë me ligj, sot po e bllokon pikërisht ligjin që e shndërron atë nga një mjet partiak në një detyrim ligjor. Kjo nuk është kujdes për shqiptarët. Kjo është frikë se ka përfunduar koha kur vendet e punës ndaheshin me fletore partiake dhe shiteshin për 5.000 euro.
Nuk mund ta pranojnë që diçka e mirë për shqiptarët të kalojë pa vulën e BDI-së. Nëse nuk është projekti i tyre, le të dështojë. Deri këtu u shkon mendja.
Udhëheqësia e korruptuar dhe e izoluar e BDI-së, me gjysmën e funksionarëve në listat e zeza, përpiqet të krijojë një perceptim të rremë se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm pse ata nuk janë pjesë e Qeverisë. Për ta, duket se nuk ka të drejta të shqiptarëve pa karrigexhinjtë e përjetshëm Bujarin, Artanin, Blerim Bexhetin dhe shoqërinë.
Por populli ua ka kuptuar prej kohësh këtë lojë. Prandaj do të mbeten edhe për një kohë të gjatë në opozitë.
Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim mund të vazhdojë të pengojë, të bllokojë dhe të bëjë sikur nuk kupton. Por një gjë do të mbetet e shkruar: pas 25 vitesh mashtrimi, pikërisht BDI-ja po e rrënon Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.



