Kasami: 74 milionë EURO për spitalin klinik të Tetovës, nga sot kanë nisur përgatitjet për realizimin e këtij projekti kapital!

Kanë nisur përgatitjet për realizimin e një prej projekteve më të mëdha shëndetësore në vend – modernizimin dhe transformimin e Spitalit Klinik të Tetovës, me një investim prej rreth 74 milionë eurosh.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Fondit për Sigurim Shëndetësor, mirëpritën fillimin e përgatitjeve për realizimin e projektit kapital.

“Ky është një ndër projektet më të mëdha shëndetësore në vend, me rëndësi të veçantë jo vetëm për Tetovën dhe rajonin e Pollogut, por për të gjithë shtetin. Ai dëshmon përkushtimin për të investuar në një sistem shëndetësor modern, duke krijuar kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor, sepse shëndetësia cilësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari”, deklaroi Kasami.

Sipas tij, investimi prej rreth 74 milionë eurosh përfshin modernizimin e bllokut të Kirurgjisë dhe Sëmundjeve Interne, ndërtimin e kapaciteteve të reja spitalore, përfshirë objektin e ri për Gjinekologji, Obstetrikë dhe Neonatologji, pajisjen me teknologji bashkëkohore mjekësore dhe sisteme moderne të teknologjisë së informacionit, si dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.

Kasami theksoi se projekti pritet të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në rajonin e Pollogut, duke ulur kohën e pritjes për pacientët dhe duke ofruar shërbime më efikase e më moderne.

“Ky projekt do të transformojë dhe modernizojë Spitalin Klinik të Tetovës, duke krijuar standarde më të larta për trajtimin e pacientëve dhe kushte më të mira pune për profesionistët shëndetësorë”, u shpreh kryetari i Tetovës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button