Kallëzim penal ndaj tre personave për ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm gjatë dhënies së provimit profesional

Njësia për Krime Financiare pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, më 27 korrik ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj tre personave, të dyshuar për vepra penale që lidhen me ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm.
Sipas informacioneve të MPB-së, të kallëzuarit janë A.T. (27) nga Manastiri për veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, S.Ç. (56) nga Gostivari për “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe S.E. (63) nga Shkupi për “marrje ryshfeti”.
Gjatë kontrolleve policore te personat e dytë dhe të tretë të kallëzuar janë gjetur dhe konfiskuar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
Sipas MPB-së, A.T., si studente e Fakultetit të Stomatologjisë, me qëllim që të pajisej me Certifikatën për provimin e kaluar profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, në dhjetor të vitit 2025, pas komunikimeve të shumta përmes platformës Viber, i ka dhënë personit S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës Stomatologjike, një shpërblim në formë parash, të cilat ia ka transferuar në llogarinë e tij bankare.
Sipas MPB-së, paratë i janë dhënë S.Ç. me qëllim që ai të ndikonte te personi S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për dhënien e provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
MPB-ja bën të ditur se A.T. ka hyrë në provimin e sesionit të dhjetorit më 17.12.2025 para komisionit të formuar dhe, edhe pse nuk kishte njohuritë e nevojshme, është pajisur me Certifikatën për provimin e kaluar profesional.



