Gjyqësori në kolaps, mungesa e kuadrove vështirëson punën e gjykatave

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut po përballet me kolaps të kuadrove. Në mungesë të kandidatëve, Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme u detyrua të përsëritë edhe një herë konkursin për kryetar në Gjykatën e Lartë Administrative dhe gjykatave themelore të Berovës, Dellçevës dhe Krushevës.

“Gjyqësori në vend po përballet me kolaps. Besoni. Ne të gjithë diskutojmë, por këtë opinioni duhet të besojë. Në çdo mbledhje e themi, nuk ka të punësuar, nuk ka gjykatës, nuk ka kryetarë dhe ne këtë shpallje formalisht do ta zbatojmë procedurën. Unë frikësohem se sërish askush nuk do të paraqitet. Nuk ka gjykatës prej ku do të mundeshin të paraqiten dhe në fund vijmë në situatë që gjykatës të deleguar nga një vend në vend tjetër të jenë u.d. kryetarë, por ajo nuk është zgjidhje, ajo është vetëm sa të figurojë”, deklaroi Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

“Me të vërtetë situata është alarmante, pasi mbaj mend se nuk e di se cila shpallje është me radhë për kryetar të gjykatës në Krushevë, Berovë dhe ne nuk kemi kandidatë. Pra, me vite nuk konkurron askush. Dhe kjo tanimë është situatë alarmante”, tha Milazim Mustafa, anëtar i Këshillit Gjyqësor.

Anëtari tjetër, Sashko Georgiev, propozoi që Kuvendi të shqyrtojë mundësinë e shfuqizimit të gjykatave më të vogla në vend.

“Ky problem do të zgjidhet nëse tanimë në bazë të reformave shumë të përmendura, është koha përfundimtare që pushteti legjislativ në këto reforma ta rishqyrtojë rrjetin gjyqësor, gjegjësisht arsyetimin e ekzistimit të disa gjykatave të vogla në shtet. Në fakt, e dini se bëhet fjalë për diku te 7-8 gjykata ku të njëjtat nuk kanë gjykatës dhe nga ana tjetër, ka edhe më pak interesim që dikush të aplikojë ose paraqitet për kryetar të gjykatës. Njëkohësisht, kolegë e dimë se numri i gjykatësve ulet çdo vit, ndërkaq nga ana tjetër, e gjithë kjo pasqyrohet në efikasitetin dhe përditshmërinë e veprimit tanimë edhe në gjykatat më të mëdha”, u shpreh Sashko Georgiev, anëtar i Këshillit Gjyqësor.

Ndryshe, sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, gjykatave themelore në vend u mungojnë gjithsej 162 gjykatës. Gjegjësisht, momentalisht ka 272 gjykatës, ndërkaq duhet të ketë minimum 432. Në gjykatat e Apelit, punojnë momentalisht 64 gjykatës, ndërkaq mungojnë edhe 54 të tjerë. Ndërkaq në Gjykatën Supreme, me gjithë gjykatësin Naqe Georgiev i cili ndodhet në paraburgim, janë të evidentuar 14 gjykatës, ndërkaq mungojnë edhe 12 të tjerë. Mungesa e gjykatësve ndikon negativisht në cilësinë e procedurave gjyqësore dhe kohëzgjatjen e tyre. /Alsat/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button