Dyshohet se u shtir si i sëmurë me leukemi dhe mblodhi mbi 162 mijë euro, GoFundMe ua kthen paratë të gjithë donatorëve

Platforma ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve, GoFundMe, ka konfirmuar se ka rimbursuar të gjithë donatorët që kishin kontribuar në fushatën e organizuar nga një shtetas i Kosovës, i cili dyshohet se ishte shtirur si i sëmurë me leukemi akute.
Bëhet fjalë për E.A., i cili ditë më parë u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, ndërsa më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas autoriteteve kosovare, përmes kësaj fushate ishin mbledhur gjithsej 162 mijë e 522 euro.
GoFundMe ka bërë të ditur se fushata është mbyllur pas identifikimit të shkeljeve të rregullave të platformës, duke konfirmuar se asnjë shumë parash nuk i është transferuar organizatorit.
Platforma ka theksuar se zbaton politikë të tolerancës zero ndaj personave që tentojnë të keqpërdorin bujarinë e donatorëve.
GoFundMe garanton mbrojtjen e donacioneve për një periudhë njëvjeçare nga momenti i dhurimit, ndërsa ekipet e saj monitorojnë rastet e dyshuara për mashtrim dhe keqpërdorim.


