Qytetarët përshëndesin provimin në shqip: “Shqipja po bëhet pjesë e çdo sfere”

Për herë të parë, provimi për Revizor të Autorizuar Shtetëror (RASh) para Komisionit të Entit Shtetëror të Revizionit u mbajt edhe në gjuhën shqipe. Qytetarët po e mirëpresin këtë hap në rrjetet sociale dhe po e shohin si një arritje konkrete të politikave të VLEN-it për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Mes atyre që kanë ndarë përvojën e tyre është qytetarja Hamide Islami. Ajo e dha provimin me sukses dhe tha se ky moment ka për të një domethënie të veçantë, sepse provimi u zhvillua për herë të parë edhe në shqip.
“Është ndjenjë e veçantë kur gjuhën tënde mund ta përdorësh jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në rrugëtimin tënd profesional. Kur nuk ke nevojë të përkthesh mendimet e tua në një gjuhë tjetër për të dëshmuar dijen dhe aftësitë që ke”, shkruan Islami.
Sipas saj, kjo është një e drejtë që duhej të ishte e natyrshme prej kohësh dhe që sot po bëhet realitet.
“Shqipja po bëhet pjesë e çdo sfere, edhe aty ku deri dje dukej e pamundur!”, shkruan ajo.
Edhe qytetari Alajdin Memedi njofton se më 19 nëntor 2026 e dha me sukses provimin për RASh para Komisionit të Entit Shtetëror të Revizionit, sipas programit të miratuar nga Revizori Kryesor Shtetëror. Sipas tij, ky moment është i rëndësishëm edhe sepse provimet profesionale tashmë mund të jepen edhe në gjuhën shqipe.
“Një e drejtë më shumë, një mundësi e barabartë për të gjithë!”, shkruan Memedi.
Provimi në shqip u jep kandidatëve shqiptarë mundësinë që njohuritë e tyre profesionale t’i dëshmojnë në gjuhën amtare, në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë.



