Emini: Mbrojtja e depozituesve dhe stabiliteti financiar mbeten prioritetet tona

Drejtori i Fondit për Sigurimin e Depozitave, Behar Emini, ka prezantuar në Kuvend kapacitetet financiare dhe gatishmërinë institucionale të Fondit, në kuadër të debatit mbikëqyrës për situatën me ALTA Banka SHA Manastir.
Emini ka bërë të ditur se Fondi disponon një portofol investues prej rreth 416 milionë eurosh. Ai gjithashtu ka sqaruar se administrimi i përkohshëm i bankës nuk përbën ngjarje rreziku dhe nuk aktivizon procedurën e kompensimit të depozituesve.
“Sot, në kuadër të debatit mbikëqyrës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e drejtorit të Fondit për Sigurimin e Depozitave, prezantova kompetencat ligjore, kapacitetin financiar dhe gatishmërinë institucionale të Fondit, në kontekstin e situatës aktuale me ALTA Banka SHA Manastir.
Theksova se Fondi disponon një portofol investues prej rreth 416 milionë eurosh, si dhe kapacitetet e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore.
Gjithashtu, sqarova se administrimi i përkohshëm i bankës nuk përbën ngjarje rreziku dhe, rrjedhimisht, nuk aktivizon procedurën e kompensimit të depozituesve.
Mbrojtja e depozituesve, transparenca, llogaridhënia institucionale dhe respektimi i përpiktë i ligjit mbeten prioritetet tona të palëkundura.
Besimi i qytetarëve dhe kontributi në stabilitetin financiar janë në themel të misionit tonë institucional”, ka shkruar Behar Emini.


