Von der Leyen: 338 milionë euro shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në samitin BE–Ballkani Perëndimor, ka paralajmëruar ndarjen e 338 milionë eurove shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim, në kuadër të Planit të Rritjes.
Von der Leyen theksoi se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Evropën, duke vlerësuar përparimin e vendeve të rajonit në procesin e integrimit evropian.
“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës”, deklaroi Von der Leyen.
Sipas saj, zbatimi i reformave në kuadër të Planit të Rritjes është përshpejtuar, ndërsa përqindja e hapave të përmbushur nga vendet e rajonit është rritur nga 38 në 63 për qind brenda një viti.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi edhe përfitimet konkrete të integrimit gradual, duke përmendur përfshirjen e katër partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët.



