E pabesueshme, Argjentinës i anulohet goli pas dy orësh, fiton Maroku
Hyrja e tifozëve në fushë në ndeshjen hapëse të turneut olimpik në futboll ndërmjet Argjentinës dhe Marokut, shkaktoi kaos.
Argjentina ishte duke humbur 2:1 ndërsa pas rishikimit të situatës në VAR, ndeshja u ndërpre me rezultatin 2:2.
Cristian Medina i Argjentinës shënoi në minutën e 16-të të kohës shtesë për rezultatin 2:2.
Por, goli u anulua pas dy orësh dhe ekipet u kthyen në fushë për ta përfunduar ndeshjen, në stadiumin e zbrazët.
Argjentina e Maroku luajtën edhe tre minuta e 15 sekonda pasi u kompletua rishikimi i situatës në VAR dhe goli u anulua. Në fund, Maroku iu gëzua pikëve të plota.
Fituesja e medaljes së artë në vitin 2004 dhe 2008 nuk ishte në formën më të mirë, pavarësisht se në skuadër kishte lojtarë si Julian Alvarez, Nicolas Otamendi e Geronimo Rulli, që së fundmi fituan Kupën e Amerikës.
Soufiane Rahimi e kaloi Marokun në epërsi kur u asistua nga Achraf Hakimi në momentet e fundit të pjesës së parë.
Rahimi e dyfishoi epërsinë dhe shënoi nga penalltia në minutën e 49-të.
Giuliano Simeone e ktheu në lojë skuadrën që drejtohet nga Javier Mascherano në minutën e 68-të.
Medina më pas shënoi në minutën e 16-të të shtesës, para se tifozët të hynin në fushë e të hidhnin objekte në drejtim të lojtarëve. Në stadiumin e qytetit lindor, Saint-Etienne, pati kaos.
Fishkëllimat në drejtim të lojtarëve të Argjentinës erdhën pas videos së Enzo Fernandezit dhe lojtarëve tjerë argjentinas, të cilët kënduan këngë raciste e diskriminuese.