Blerim Islami: Të rinjtë nga Dollneni, vendi i tretë në Garën Rajonale të ideve inovative të biznesit

Kryetari i Komunës së Dollnenit, Blerim Islami, mori pjesë sot në konferencën përmbyllëse të projektit „Politika rinore sipas masës së të rinjve“, të zbatuar nga „Pro Lokal“, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes programit „Civika Mobilitas“.
Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe Gara Rajonale e ideve inovative të biznesit, ku të rinjtë nga Komuna e Dollnenit arritën një sukses të rëndësishëm, duke fituar vendin e tretë me idenë e tyre inovative.
Islami shprehu krenarinë për këtë arritje, duke theksuar se kreativiteti, puna dhe mbështetja e duhur u japin të rinjve mundësi të krijojnë ide dhe zgjidhje për të ardhmen.
Në konferencë foli edhe ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Gjoko Vellkovski, i cili theksoi rëndësinë e investimit në iniciativat rinore në të gjitha komunat.
Kryetari Islami uroi ekipin nga Dollneni për suksesin, duke nënvizuar se pushteti lokal do të vazhdojë t’i dëgjojë, mbështesë dhe motivojë të rinjtë që të qëndrojnë dhe të krijojnë në vendlindjen e tyre.



